Kosova

MSH: S’kemi pranuar ankesa për shqetësimet e pacientëve në Klinikën e Onkologjisë


Klinika e Onkologjisë në QKUK.

Përmes një letre dërguar ministrisë së Shëndetësisë dhe bordit drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), nga pacientët është kërkuar që të merren me përmirësimin e kushteve në Klinikën e Onkologjisë.

Por, nga ana e këtij dikasteri është thënë se deri tani nuk kanë pranuar ndonjë ankesë qoftë në formë fizike apo atë elektronike në asnjë prej departamenteve përgjegjëse, siç thuhet në raportime.

“ Ministria e Shëndetësisë në adresën e saj, deri më tani, nuk ka pranuar ndonjë ankesë qoftë në formë fizike apo atë elektronike në asnjë prej departamenteve përgjegjëse, siç pretendohet në këtë lajm”.

“Me këtë rast, ju njoftojmë se Ministria e Shëndetësisë në bashkërendim me Bordin dhe menaxhmentin e ShSKUK-së si dhe akterë të tjerë relevant, janë angazhuar në vazhdimësi për të siguruar dhe ngritur cilësinë e shërbimeve dhe sigurimin e terapisë për pacientet në nevojë”, është thënë nga ana e MSH-së.

Nga ana e MSH-së është bërë e ditur se “projekti infrastrukturor” është duke u përgatitur ndërsa së shpejti pritet të filloj.

“Sa i përket Klinikës së Onkologjisë, ju njoftojmë se projekti infrastrukturor i detajuar për sigurimin e kushteve me të favorshme veçse është proceduar nga ShSKUK-së së bashku me investimet në aparaturat e avancuara, ndërsa punimet përgatitore tashmë kanë filluar”.

Kurse sipas raportimeve nga bordi i SHSKUK-së tek ministria thuhet se furnizimi me barna është pothuajse i plotë.

“Sipas raportimit nga Bordi i ShSKUK-së, aktualisht furnizimi me barna është 90%, ndërsa furnizimi me material shpenzues 85%”.

“Mekanizmat menaxhues të ShKUK-së kanë shtuar angazhimin që edhe kjo përqindje e furnizimit me barna dhe material shpenzues të arrij në plotni kërkesat dhe nevojat e pacientëve tanë”.

MSH-ja shton se, “investimet në Kliniken e Onkologjisë duke përfshi infrastrukturën dhe pajisjet, sipas raportit nga Bordi i ShSKUK-së, këtë vit janë në vlerë rreth 2 milionë euro”.

Ndërsa ShSKUK aktualisht është në fazën përfundimtare të procesit të rekrutimit të rreth 100 infermiereve, të cilët do të sistemohen sipas nevojave në  klinikat e QKUK-së, duke përfshirë edhe Kliniken e Onkologjisë.

Klinika e Onkologjisë në Prishtinë është e vetmja qendër në Kosovë ku të prekurit me kancer marrin kimioterapinë apo trajtime të tjera.

Nga kjo sëmundje në Kosovë regjistrohen çdo vit pothuajse 1 mijë e 500 raste të reja.

Në këtë klinikë brenda 24 orësh, shërbime marrin rreth 400 pacientë, që vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës.

Klinika e Onkologjisë i ka rreth 60 shtretër dhe vazhdimisht ballafaqohet me mungesë të barnave.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanceri është ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në mbarë botën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore