Lajme

MSH rekomandon që masat ekzistuese anti-COVID të vazhdojnë, komunat kërkojnë heqjen e orës policore


Ushtruesja e detyrës së ministres së shëndetësisë, Dafina Gexha, në takim me Asociacionin e komunave të Kosovës

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, ka vlerësuar se masat ekzistuese anti-COVID duhet të vazhdojnë edhe për dy javët e ardhshme. Kjo për shkak të fillimit të vitit të ri shkollor dhe fushatës zgjedhore.

Bazuar në komunikatën për media nga Asociacioni i komunave të Kosovës, në takimin e mbajtur të këtyre të fundit me ushtruesen e detyrës së ministres së shëndetësisë, Dafina Gexha, thuhet se AKK ka kërkuar heqjen e orës policore dhe mos-mbajtjen e maskës kur një person është duke ecur vetëm.

“Vlerësimi i përgjithshëm është që këto masa të vazhdojnë edhe për dy javët e ardhshme sidomos tani që ka nis shkolla dhe kemi fushatën për zgjedhjet lokale me 17 tetor”, thuhet në komunikatë.

“AKK kërkoi që me datën 18 tetor të mos mbahet mësimi por të dezinfektohen shkollat meqë aty pritet të mbahen votimet. U kërkua që në ambiente të jashtme të lejohet tubimi deri në 50 persona të vaksinuar si dhe të hiqen maskat kur një person vetëm është duke ecur. U kërkua që të shikohet mundësia e heqjes së orës policore dhe të vazhdoj furnizimi i Komunave me barna esenciale.

Në anën tjetër, Ministrja Gexha, ka njoftuar kryetarët se ka pasur takime me Grupin e Ekspertëve Shëndetësor dhe përfaqësuesit e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP) për të vlerësuar situatën dhe masat e deritashme si dhe kanë pranuar raportin javor.

Ushtruesja e detyrës së ministres së shëndetësisë, Dafina Gexha, në takim me Asociacionin e komunave të Kosovës

“Sa i përket vaksinimit, Ministrja informoi Kryetarët e Komunave se deri tani për moshat mbi 16 vjet janë vaksinuar 67.5 për qind e popullatës me dozën e parë dhe 47.6 për qind me dozën e dytë”.

“Në anën tjetër ka një rënie dhe stabilizim të situatës me infeksionet dhe përhapjen me virusin e pandemisë COVID-19”.

Po ashtu, ajo ka kërkuar edhe nga Inspektoratet dhe Policia që të sforcojnë aktivitetet në zbatimin e masave kundër kësaj pandemie të cilat janë në fuqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore