Lajme

MSH-ja nis për herë të parë shpërndarjen e terapisë tabletare onkologjike në Prizren


Arben Vitia dhe Narqize Arenliu Hoxhaj

Ministria e Shëndetësisë, ka bërë të ditur se në spitalin e Prizrenit për herë të parë ka nisur shpërndarja e terapisë tabletare onkologjike.

Përmes një komunikate për media nga MSH-ja është thënë se ministri Arben Vitia është shprehur i lumtur që në Spitalin e Prizrenit kanë arritur që ta japin këtë terapi.

“Falë punës intensive kemi arritur që këtë ta jetësojmë disa muaj më herët se që ishte planifikuar, kjo do të jetë lehtësim për qytetarët e rajonit të Prizrenit dhe do ta lehtësojë punën edhe të stafit të Klinikës së Onkologjisë që është i mbingarkuar”.

“Krahas kësaj po investohet në infrastrukturë në Klinikën e Onkologjisë, ku po shtohen kapacitetet ekzistuese me shtretër dhe shërbime shëndetësore”, tha Vitia.

Ndërsa ushtruesja e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), Narqize Arënliu Hoxhaj, deklaroi se në projekt është paraparë shpërndarja e terapisë tabletare në Spitalin e Prizrenit dhe atë të Pejës.

“Me qëllim që pacientët të kenë më lehtë të marrin terapinë, e mos të detyrohen të udhëtojnë në Prishtinë”, tha ajo.

Kurse drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, përmendi investimet që janë duke u bërë nga MSH-ja dhe ShSKUK-ja.

“Mbi 100 pacientë nga rajoni i Prizrenit do të marrin terapinë tabletare 1 herë në muaj në Spitalin e Prizrenit, ku një mjek specialist onkolog dhe 1 infermiere nga Klinika e Onkologjisë do të vinë në spital si asistencë”.

Po ashtu, klinika e Onkologjisë tashmë kryen edhe mjekimin e tumoreve solide adulte nga mosha 16-vjeçare, me medikamente dhe me rreze.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore