Lajme

MSH i propozon Qeverisë: Heqjen e orës policore dhe hapjen e klubeve të natës


Ilustrim.

Ministria e Shëndetësisë i ka propozuar Qeverisë së Kosovës masat e reja të cilat priten të miratohen në ditët në vijim.

Kështu ka bërë të ditur për Albanian Post, Zyrtari për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti.

“Në esencë dy gjera bien në sy më shumë në propozime, heqja e orës policore dhe lejimi i klubeve te natës me 50 për qind të kapaciteteve”, ka thënë Hoti për AP.

Sipas tij, akoma nuk është diçka përfundimtare pasi mund të ndryshohet diçka nga masat e propozuara.

“Kështu ka qenë propozimi, por të shohim në versionin final çka miratohet në qeveri”.

Hoti, deklaron se propozimet janë përcjellur tek ekzekutivi të hënën e 28 shkurtit.

“Propozimet janë përcjellur të hënën në Qeveri, zakonisht një ditë ose dy ditë pas propozimeve miratohen”.

Ministria e Shëndetësisë.

Qeveria e Kosovës, kishte miratuar masat e reja më 21 janar, masa këto të cilat u kritikuan nga njohësit e shëndetësisë dhe partitë opozitare.

Sipas vendimit të Qeverisë, qytetarët që hyjnë në Kosovë duhet të ishin të vaksinuar plotësisht dhe të kenë edhe dozën përforcuese.

Ata që nuk kanë dozën përforcuese, duhet të kenë test negativ të llojit PCR, të vlefshëm për 48 orë.

Kufizimi i qarkullimit do të aplikohet nga ora 22:00 deri në orën 05:00.

Bizneset e gastronomisë mund të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri më 21:00.

Ndryshe, më 1 mars, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka raportuar se brenda 24 orëve, ka humbur jetën një person dhe janë regjistruar 61 raste të reja me COVID-19.

Numri i të infektuarve vjen nga 1 mijë e 257 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë 241 persona.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 1 mijë e 696.

Brenda 24 orëve të fundit, në Kosovë janë vaksinuar gjithsej 688 persona.

Ndërkaq, 899 mijë e 564 persona janë vaksinuar me dozën e parë, teksa numri i të vaksinuarve me të dy dozat ka arritur në 816 mijë e 179.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore