Lajme

Qeveria miraton masat e reja antiCovid – Zgjatet ora policore, shkurtohet orari i gastronomisë


Ilustrim

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar masat e reja anti Covid-19.

Në faqen zyrtare të Kryeministrit, thuhet se pas një mbledhje virtuale të kabinetit Qeveritar, janë vendosur masat e reja që do hynë në fuqi nga nesër (e shtune), ku parashihet zgjatja e orës policore, duke filluar nga ora 22:00 e mbrëmjes deri në ora 05:00 të mëngjesit, ndërsa do të shkurtohet orari i gastronomisë.

“Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve do të jetë nga ora 22:00 deri në ora 05:00, përveç rasteve të natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi)”.

Gjithashtu, qarkullimi për personelin shëndetësor, të sigurisë dhe operatorët që kryejnë punë apo shërbime publike, “personelin e ndërrimit të natës të operatorëve ekonomikë që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e mallrave/shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës”.

Ndërsa orari në gastronomi sipas masave të reja të miratuara është shkurtuar, nga ora 22:00 në 21:00.

“Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:00”.

“Muzika lejohet vetëm deri në orën 20:30”, thuhet në njoftim, ndërsa përgjegjësit e lokaleve duhet të sigurohen që “distanca ndërmjet klientëve në tavolina të ndryshme të jetë së paku një (1) metër”.

Të gjithë personat që hynë në Republikën e Kosovës sipas masave të reja duhet të jenë të vaksinuar së paku me 3 doza.

Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë, “certifikatën e vaksinimit me tri (3) doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen dhe dozë përforcuese) kundër COVID-19”.

“Certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore)”, thuhet në njoftim.

 

Qeveria ndan edhe 10 milionë euro për rrymën

Qeveria në emër të masave ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 10 milionë euro, për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike për masën 3.7 – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore