Lajme

MPJ e Sllovakisë i jep çmim për kontribut në diplomaci Lajçak-ut


Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, këtë të enjte i është dhënë çmimi prestigjioz nga Ministria e Punëve të Jashtme sllovake për kontribut në diplomacinë sllovake.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Lajçak, përmes një cicërime në llogarinë e tij në rrjetin social “Twitter”.

Sot pata rastin të takohem me mikun dhe kolegun tim, (Ministri i Punëve të Jashtme të Sllovakisë) Miroslav Wlachovsky, për një diskutim produktiv dhe të thellë”, shkroi ai në “Twitter, duke shtuar “faleminderit për çmimin prestigjioz ministria e Punëve të Jashtme sllovake që më dha për kontributin tim në diplomacinë sllovake”.

Për këtë çmim, top-diplomati sllovak potencoi se “jam thellësisht i nderuar që e pranoj!”.

Ndryshe, Miroslav Lajçak, është një personalitet me një përvojë shumë të madh në diplomaci.

Gjatë karrierës së tij politike, ai ka mbajtur poste të rëndësishme si brenda vendit të tij, ashtu edhe jashtë.

Ka qenë Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, por edhe ka shërbyer si President i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për sesionin e 72-të, nga viti 2017 deri në vitin 2018.

Përveç këtyre, top-diplomati sllovak ka qenë një figurë kyce në ndërmjetësimin e krizave të pas konfliktit në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si Asistent Ekzekutiv i të Dërguarit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Ballkanin nga viti 1999 deri në 2001.

Lajçak negocioi, organizoi dhe mbikëqyri referendumin për pavarësinë e Malit të Zi, në vitin 2006.

Ndërsa, nga viti 2007 deri në vitin 2009, shërbeu si Përfaqësues i Lartë i Komunitetit Ndërkombëtar dhe Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian në Bosnje e Hercegovinë. Gjatë mandatit të tij, Bosnja e Hercegovina nënshkroi Marrëveshjen historike të Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian.

Aktualisht, Miroslav Lajçak, është Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, i emëruar më 2 prill të vitit 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore