Kosova

MPJ e Anglisë kërkon që të shmangen udhëtimet për në Veri: Protestat kanë potencialin të kthehen në të dhunshme


Ministria e Jashtme e Anglisë

Ministria e Punëve të Jashtme e Anglisë, ka kërkuar nga qytetarët që për arsyeje të sigurisë të mos udhëtojnë në tri komunat në Veriun e Kosovës për shkak të situatës së tensionuar.

Këtë kërkesë MPJ e Anglisë e ka bërë përmes një komunikate për media.

Sipas tyre, protestat aktuale që janë duke vazhduar në Veri që nga 26 maji kanë mundësi që të kthehen në të dhunshme.

“Protestat kanë potencialin të kthehen të dhunshme. Duhet të keni kujdes nëse shihni turma të mëdha që mblidhen gjatë tensioneve të rritura politike. Kontrolloni mediat lokale, konsultohuni me recepsionet e hoteleve për këshilla dhe rishikoni rregullisht informacionin në këtë faqe për përditësime”, thuhet në komunikatën e MPJ-së së Anglisë.

Në komunikatë janë theksuar edhe incidentet që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe 26-ditëshe.

“Në 12 muajt e fundit ka pasur përleshje të dhunshme në veri të Kosovës dhe incidente me granata dhe shpërthime automjetesh në veri të Mitrovicës. Jeni të kujdesshëm dhe shmangni tubimet publike, veçanërisht rreth zonës së Urës së Ibrit që ndan Mitrovicën veriore dhe jugore”.

“Terroristët ka të ngjarë të përpiqen të kryejnë sulme në Kosovë. Sulmet mund të jenë pa dallim, duke përfshirë vende të vizituara nga të huajt, tubime të mëdha publike dhe ngjarje kulturore. Terroristët mund të synojnë objekte fetare, duke përfshirë kishat”.

Po ashtu është apeluar për kujdes edhe në pjesën ku udhëtohet nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas.

“Është e mundur të udhëtosh nga Serbia në Kosovë dhe të kthehesh përsëri por që me siguri do të hasni probleme me hyrjen në Serbi nga Kosova nëse pasaporta juaj tregon se keni hyrë në Kosovë direkt nga kudo tjetër përveç Serbisë. Nëse tensionet rriten në veri, është më mirë të shmangni kalimin kufitar Portat 1 dhe 31 (Leposaviq dhe Zubin Potok)”.

Kurse, për qytetarët e Anglisë të cilët kanë nevojë për ndihmë është thënë të kontaktojnë konsulltën më të afërt.

“Nëse jeni jashtë vendit dhe keni nevojë për ndihmë urgjente nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, kontaktoni ambasadën, konsullatën ose komisionin e lartë britanik më të afërt. Mbështetja konsullore është e kufizuar në pjesët e Kosovës ku FCDO ka këshilla ekzistuese kundër të gjithëve, përveç udhëtimeve thelbësore”.

Situata u tensionua në Veri të Kosovës kur kryetarët e komunave hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë nën asistimin e Policisë së Kosovës, më 26 maj.

Protestuesit serbë e kanë kundërshtuar ashpër këtë vendim, që nga 26 maji ata janë duke protestuar kundër këtij vendimi.

Gjatë kësaj periudhe nga Serbia janë arrestuar tre policë të Kosovës ata pretendojnë se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por nga Kosova u tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

Pas këtij veprimi Kosova ka ndaluar hyrjen e produkteve të Serbisë në Kosovë.

Edhe bllokimi i qarkullimit në pikat kufitare me Serbinë, vjen në kohën e rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët, gjatë kësaj periudhe mbi 30 gazetarë janë sulmuar nga grupet kriminale të Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore