Shqipëria

Mozaiku i Meandrit ende në bodrum, Sako kërkon të zhvendoset në muzeun arkeologjik


Një ndër monumentet më të bukura, Mozaiku i Meandrit, prej vitesh është lënë në bodrumin e një pallati.

Sikur kjo mos të mjaftonte, mozaiku është i mbuluare nga ujërat e zeza.

Ndërkohë, kryebashkiakja e Durrësit kërkon nga Ministria e Kulturës që monumenti të zhvendoset në muzeun arkeologjik.

I shpallur monument kulture i kategorisë së parë, mozaiku është një ndër thesaret e harruara të Durrësit.

Mozaiku i Meandrit i ndërtuar me teknikën bardhezi, i përket shekullit të I të erës sonë.

Ai u zbulua në vitin 2005 kur u hapën themelet e pallatit 13 katësh në lagjen numër 11 të qytetit bregdetar.

Mirëpo, për vite me radhë mozaiku ka qëndruar në bodrumin e pallatit të pavijueshëm nga turistët dhe i mbuluar nga ujërat e zeza.

Pallati në fjalë, i dëmtuar nga tërmeti, i është nënshtruar së fundmi rikonstruksionit dhe mozaiku u pastrua nga mbeturinat.

Por ai ende mbetet në kushte të papërshtatshme për vizitorët.

Sakaq, kryebashkiakja Emirjana Sako kërkon nga Ministria e Kulturës që Mozaiku i Meandrit të zhvendoset në Muzeun Arkeologjik të Durrësit në mënyrë që të vizitohet nga qytetarët dhe turistët.

Mozaiku ka në brendësi simbolin e Meandrit ose të diellit në lëvizje. Ka formën e kryqit të thyer dhe pjesë të këtij simboli mitologjik janë dhe shenjat e rrufeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore