Lajme

Moslejimi i referendumit serb në Kosovë, Vuçiç fajëson shtetet e QUINT-it për mos ndërmarrjen e masave ndaj Kosovës: Duken si “idiotë”


Aleksandër Vuçiç

Për Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, vendimi i Qeverisë së Kosovës për moslejimin e mbajtjes së referendumit serb në territorin e Kosovës nuk ka qenë befasi për të dhe sipas tij mos sanksionimi i Kosovës nga shtetet e QUINT-it pas rezolutës së Kuvendit të Kosovës i bënë ambasadorët që të duken si “idiotë”.

“Mos lejimi i votimit të serbëve në Kosovë nuk është befasi duke marrë parasysh gjithçka që po bën Kurti dhe qeveria e tij – ngacmimet ndaj serbëve, dërgimi i njësive speciale, organizimi i postblloqeve 15 kilometra larg kufirit me Serbinë”, ka thënë Vuçiç në një deklaratë për media raporton Radio Televizioni serb, RTS.

Ai tha se vendimi i Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e këtij referendumi “do të ketë pasoja të mëdha”.

“Vota e serbëve nga Kosova për referendumin serb është vota ‘PO’, votë për Serbinë, jo për Kurtin”, ka shtuar ai.

Sipas presidentit serb shtetet e QUINT-it kanë standarde të dyfishta pasi që mos respektimi i kërkesës së shteteve te QUINT-it nga Qeveria e Kosovës nuk rezulton me sanksione ndaj tyre, e që në një rast të njëjtë Beogradi do të sanksionohej menjëherë.

“Kur e them këtë, e kam fjalën në kuptimin e vërtetë të fjalës, sepse ata janë në gjendje t’u bëjnë thirrje shqiptarëve të respektojnë të drejtat, demokracinë, t’i lejojnë serbët të votojnë, por nëse Prishtina nuk e lejon, nuk do të dëgjoni asnjë fjalë proteste ndaj tyre, e lëre më veprimit dhe sanksioneve”, ka shtuar ai.

“Nëse Milorad Dodik ose Beogradi do të kishin bërë diçka të ngjashme, sanksionet do të ishin të menjëhershëm dhe ne do të etiketoheshim si ‘djem të këqij’”.

Protesta e serbeve në pjesën Veriore të Kosovës

Ndryshe gjatë ditës së diel serbët në pjesën Veriore të Kosovës duke e shprehur pakënaqësinë e tyre për moslejimin e mbajtjes së Referendumit në Kosovë kanë organizuar një protestë simbolike në sheshin “Car Lazar”, të Mitrovicës Veriore.

Kësaj proteste i ka paraprirë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, deputeti Igor Simiç si dhe kryetarët e komunave Veriore të vendit.

Protestuesit në fjalë kanë improvizuar një kuti votimi ku në të kanë hedhur në mënyrë simbolike votat e tyre për Referendumin e cila po mbahet këtë të diel në Serbi.

Mes tjerash protestuesit kanë mbajtur në duar pankarta me mbishkrimet, “Serbët nga Kosova janë fuqishëm me shtetin e tyre Serbinë”, “Votoj për paqe jo për terror”, “Edhe serbët kanë të drejtat njerëzore”.

Rakiç, nga këtu ka mbajtur edhe një konferencë për media ku ka potencuar se kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë do të vendosin reciprocitet në Veri të vendit nëse Qeveria e Kosovës nuk e lejon mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale serbe të 3 prillit.

“Nëse me 3 prill nuk lejohen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, atëherë do të vendoset reciprocitet dhe masat do të jenë serioze”, ka thënë Rakiç.

Sipas tij, ky lloj reciprociteti do të bëhet vetëm në komunat e Mitrovicës së Veriut, duke shtuar se më pas do të vendoset edhe në komunat tjera.

Ai nuk e ka mohuar mundësinë e vendosjes së barrikadave në pjesën Veriore të vendit, kur është pyetur nga gazetarët për një gjë të tillë.

“Nuk mund të përgjigjem është një pyetje hipotetike, por gjithçka është e mundur”, ka shtuar ai.

“Ashtu siç na trajton Prishtina, ashtu do t’i trajtojmë edhe ne”, ka vazhduar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore