Lajme

Mos përshëndetja e fjalimit të Ramës nga Kurti e Osmani – “infantile, amatoreske, e gabuar”


Foto nga Albanian Post

Fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku u kërkua të zhbëhet raporti famëkeq i Dick Marty-it për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, nuk e kanë përshëndetur as kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe as presidentja Vjosa Osmani.

Osmani nuk reagoi fare me deklaratë apo status në rrjetet e saja sociale, derisa Kurti, meqë u detyrua të përgjigjet, pasi u pyet nga një gazetar, tha se nuk e ka parë fjalimin “sepse isha në Pejë me aktivitete”.

Për Abit Hoxhën, ligjërues i medias dhe konfliktit në Universitetin Adger, mosreagimi nuk ka të bëjë me atë se çfarë u tha e as ku u tha, por me personin që e tha, pra me Edi Ramën.

“Sipas të gjitha gjasave ka njëfarë konkurrence për dominimin e hapësirës publike në Kosovë dhe Rama shihet si konkurrent real nga Osmani dhe Kurti”, thotë ai.

Gjithsesi, a do të duhej kjo konkurrencë të përcillej edhe në zhvillime të tilla?

“Kjo sjellje infantile është vetëm ndaj Ramës”, deklaron Hoxha për Albanian Post, “pasi që po të mbante fjalimin e njëjtë, ta zëmë një eurodeputet nga Kroacia, do të kishim parë një ekzaltim të pamasë”.

Për Hoxhën, sjellja e Osmanit e Kurtit “është sjellje amatoreske ndaj një sesioni ku flitet për Kosovën, pa dallim se kush flet aty”.

“Aq më shumë që po në atë sesion, edhe deputetët kosovarë kanë mbajtur fjalime. Pra, sjellja infantile ka të bëj me Ramën”.

Si të pavend sjelljen e dy liderëve kosovarë e ka gjykuar edhe Arton Demhasaj, analist politik dhe drejtor ekzekutiv i organizatës jo qeveritare “Çohu”.

“Unë dje e dëgjova reagimin e kryeministrit Kurti, ai fillimisht tha që nuk e ka dëgjuar, nuk e ka përcjellë deklaratën e Kryeministrit të Shqipërisë në Këshill të Evropës, mirë po pastaj u kthye dhe në njëfarë mënyre e sulmoi duke thënë që ‘nuk mund të presim që të mbrohet Kosova pa u dënuar krimet serbe që janë zhvilluar në Kosovë’. Kjo është gabim”, deklaroi Demhasaj për AP-në.

“Nëse nuk e ke dëgjuar dhe se ke parë se çka ka thënë, atëherë si po e sulmon?”, pyet ai.

“Në anën tjetër sa i përket presidentes, nuk ka reaguar fare, kështu që unë mendoj që thjesht çdo kë që mundohet ta mbrojë Kosovën kudo, e që në këtë rast Rama u mundua ta pastrojë ndoshta nga ajo njolla e zezë që Kosova e ka marrë përmes raportit të Dick Marty-it, mendoj që duhet të përshëndetët qoftë nga kryeministri, nga presidentja e nga të gjithë bartësit tjerë të institucioneve”.

Edhe Demhasaj beson se sjellja, sidomos e Osmanit, ka të bëjë me atë që tashmë është sekret publik – raportin jo të mirë personal mes Osmanit e Ramës.

“Ka njëfarë ngërçi në mes të presidentes tonë dhe kryeministrit të Shqipërisë. Kjo është vërejtur edhe në disa takime rajonale kur janë mbajtur”, kujton Demhasaj.

Por, në situata si ajo e djeshmja, ai beson se këto raporte personale “duhet lënë anash”, pasi në këtë rast Rama fliste në Këshillin e Evropës “për heqjen e një njolle të zezë në raport me Kosovën”.

Kaq gabim të madh mos përshëndetjen e fjalimit të Ramës nga liderët në Kosovë nuk e sheh Gazmir Raci, analist politik.

“Jo domosdo duhet të reagojnë”, pohon ai.

Edi Rama gjate fjalimit

Përvec Osmanit e Kurtit, fjalimit të Ramës nuk i ka reguar as kryeparlamentari, Glauk Konjufca, derisa reagime të shumta kanë ardhur nga intelektualë, opinionistë, politikanë e ish qeveritarë.

Fjalimi kryesisht është konsideruar si “Ofensivë për të çmontuar raportin e Dick Marty-it”.

Rama për 1 orë rresht,  ka ballafaquar evropianët me ndërgjegjen e tyre, duke folur për absurdin që krijojë nisma e rusit Konstantin Kosachev dhe u kthye në një rezolutë të Këshillit të Evropës, për të përfunduar në një Gjykatë Speciale, paçka se nisma ishte për trafikim organesh e aktakuza s’përbën asgjë nga ajo nismë.

Arsyeja pse Shqipëria po vjen me një kundër-rezolutë tash dhe jo më parë, Rama tha se ishte një pritje e Shqipërisë për të parë se çfarë do dilte “përkundër se e dinim që s’do dilte gjë”.

Shqipëria fillimisht me 21 korrik të këtij viti votoi unanimisht një Rezolutë “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”.

Rezoluta kërkon na Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të rishikojë Rezolutën 1782, atë të viti 2011, dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore