Shqipëria

Mori përfitime monetare, GJKKO dënon ish-zyrtaren me burg


Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar ish-zëvendësministren e Brendshme, Rovena Vodën, me gjykim të shkurtuar, dhjetë muaj burgim.

I njëjti gjykim i shkurtuar është dhënë edhe për të pandehurit e tjerë, konkretisht Florida Beu dhe Majlinda Hasanin.

Tre të pandehurat u dënuan me një vit e tre muaj burg në total.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) vërtetoi se ish-zyrtarja e Ministrisë së Brendshme kishte marrë 1 mijë euro, një celular dhe një arkë me peshk për të punësuar Florida Beun në ministri.

Personi i tretë, Majlinda Hasani, ka luajtur rolin e sekseres për të lidhur Florida Beun me Vodën, duke shfrytëzuar edhe lidhjen shoqërore që ka pasur me të.

Të tria gratë janë akuzuar se kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në korrik të vitit të shkuar, ish-zëvendësministrja e Brendshme ka ankimuar vendimin e GJKKO-së për “arrest shtëpie”.

Sipas Vodës, “nuk ekzistonin kushte ligjore që ta mbanin në masë sigurie”. Ndërsa avokati i saj ka thënë se nuk ka rrezik që Voda t’i shmanget drejtësisë”.

Gjithashtu “nuk ka rrezik të prishen provat”.

GJKKO ka lënë në fuqi masën e dhënë për ish-zëvendësministren e Brendshme, Rovena Voda, e cila u caktua nën “arrest shtëpie”, pas akuzave për ryshfet.

Më 13 korrik, ishte Gjykata që e mori këtë masë pas hetimeve nga SPAK-u.

Në njoftimin e SPAK-ut cilësohej se bëhet fjalë për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore