Shqipëria

GJKKO: Mori përfitime monetare, arrest shtëpie për ish-zëvendës ministren Rovena Voda


Gjykata e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar ka vendosur në masën “arrest shtëpie”, ish-zëvendës ministren e Punëve të Brendshme, Rovena Voda.

Këshilli i Ministrave e liroi nga detyra zv. ministren e Brendshme Rovena Voda, një vit më parë, në korrik të vitit 2020. Ajo deklaronte pas dorëheqjes, se u largua për motive personale.

Në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) cilësohet se bëhet fjalë për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, si dhe për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

SPAK shkruan se nga veprimet hetimore të kryera, janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasja Rovena Voda, në cilësinë e zëvendës ministres në Ministrinë e Brendshme ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe përfitime materiale të padrejta nga shtetaset Majlinda Hasani dhe Florida Beu.

“Përfitimet monetare dhe materiale të padrejta në këtë rast janë dhënë dhe janë pranuar me qëllim që shtetasja Rovena Voda të ushtronte ndikim të paligjshëm te persona të tjerë që ushtrojnë funksione publike, për të favorizuar në mënyrë të padrejtës shtetasen Florida Beu në mënyrë që kjo e fundit të emërohej punonjëse në shërbimin civile në kategorinë ekzekutive”, ravijëzon SPAK.

Edhe për shtetaset Florida Beu dhe Majlinda Hasani, është caktuar masa e arrestit në shtëpi. Ato janë të dyshuara për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.

Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar sot masën e sigurimit personal të vendosur ndaj Vodës, Hasanit dhe Beut. Hetimet paraprake për këtë procedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar.”

Denoncimi në SPAK

Deputetët Myslim Murrizi dhe Halit Valteri, më 3 gusht të vitit 2020, e kanë dorëzuar në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, padinë lidhur me tenderin për uniformat e Policisë së Shtetit të vitit 2019.

Para mediave, ai do të sqaronte se ishte informuar nga persona të tjerë të cilët i kishin dorëzuar dokumentacionin mbi shkeljet e bëra në atë tender.

“Kam dorëzuar të gjitha provat që kanë lidhje me detajet, kartat teknologjike, shpallja e parë për katër vite, numri i artikujve 762 mijë, ulja drastike deri në 30% të këtyre artikujve dhe ruajtja e së njëjtës vlerë”, ka thënë ai.

Deputeti Murrizi i ka bërë thirrje SPAK-ut që ta hetojë detajisht tenderin, meqë sipas tij firma fituese nuk kishte lidhje me rrobaqepësi, por ishte firmë që merrej me gërmime dheu.

Në kallëzimin e dorëzuar nga deputetët Valteri dhe Murrizi, ministri i Brendshëm në atë kohë, Sandër Lleshaj, akuzohej për pesë vepra penale.

Fituese e tenderit, të zvarritur për gati një vit, ishte kompania D&E shpk, me një ofertë prej 26 milionë dollarësh, 5 milionë më shumë se kompania turke, Genç Taahhüt Giyim.

Sipas deputetëve të opozitës, në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave (KOV) ishin tre anëtarë, të cilëve iu bë presion që të diskualifikohej kompania e renditur e para, e cila plotësonte të gjitha kriteret, dhe që ofronte edhe 5 milionë dollarë më pak.

“Mirëpo”, sqarojnë deputetët, “për të shtypur rezistencën e tyre në këtë komision u shtuan papritur edhe dy anëtarë të rinj pa asnjë shpjegim, duke e çuar numrin në pesë persona”.

“Më pas gara u zhvillua me një komision prej tre anëtarësh duke shpallur fituese kompaninë D&E shpk e cila kishte dhe vlerën më të lartë të ofruar, çka sipas deputetëve është provë e qartë se fituesi ka qenë i paracaktuar”, thonë ata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore