Shqipëria

Arrestimi i Rovena Vodës bën bujë edhe në SHBA


Washington Post ka publikuar të martën e 13 korrikut lajmin e arrestimit për korrupsion të ish-zëvendës ministres së Brendshme, Rovena Voda.

“Një deklaratë nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar tha se Rovena Voda, zëvendësministre e Brendshme nga viti 2017 deri në vitin 2020, u vu në arrest shtëpiak për akuzat se kishte marrë ryshfet për të favorizuar një person që kërkon një pozicion si një zyrtar publik”, shkruan Washington Post.

Prestigjiozja amerikane cilëson se këtë vit institucionet gjyqësore të sapoformuara – të krijuara për të adresuar korrupsionin në Shqipërinë post-komuniste – janë duke ngritur padi ose duke arrestuar shumë ish-zyrtarë të lartë.

Një ish-prokuror i përgjithshëm ishte personi i parë i rangut të lartë që u dënua në fillim të këtij viti dhe shumë gjykatës e prokurorë janë shkarkuar për korrupsion të pohuar duke fituar në mënyrë të paligjshme prona dhe para.

Reforma në drejtësi, e cila u miratua në vitin 2016 me përfshirjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, prezantoi një proces verifikimi për gjyqtarët dhe prokurorët për të provuar se pronat e tyre ishin fituar ligjërisht dhe se ata përmbushnin standardet anti-korrupsion dhe profesionale.

Qindra dështuan gjatë procesit të Veting-ut dhe u pushuan nga puna.

“Shqipëria, një anëtare e NATO-s që nga 2009, po pret që të fillojë negociatat e anëtarësimit të plotë me Bashkimin Evropian me 27 anëtarë më vonë këtë vit”, përmbyll Washington Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore