Shqipëria

Moratoriumi mund të zhdukë traditën e gjuetisë në Shqipëri, thonë gjuetarët


“Zgjatja e moratoriumit të gjuetisë është një marrëzi nga Qeveria”.

Kështu është shprehur për Albanian Post, përfaqësuesi i Federatës Kombëtare Shqiptare të Gjuetisë, Themi Perri.

Moratoriumi i gjuetisë, i cili u zgjat edhe pesë vite të tjera nuk u prit mirë nga gjuetarët.

Kjo zgjatje e moratoriumit, sipas ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, është sepse ka sjellë “rezultate pozitive sa i përket shtimit të popullatave të faunës”.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro

Por, për gjuetarin Perri, moratoriumi nuk ka arritur qëllimin për të cilin është vendosur.

“Jo vetëm që nuk ia ka arritur qëllimit, por e ka përkeqësuar edhe më shumë gjendjen. Fauna e egër trajtohet si mall pa zot. Të gjithë kanë rrëmbyer armët e vrasin ç’t’u dalë përpara”.

Sipas tij, vendimi i Qeverisë për ndaljen e gjuetisë tregon “paaftësinë e administratës për të kryer detyrën, por gjejnë rrugën më të shkurtër dhe zgjasin moratoriumin”.

Për ministren Kumbaro, moratoriumi, i cili është hera e tretë që po zgjatet, ka ndikuar pozitivisht në shtimin e faunës së egër.

Sipas ministres, në vitin 2016 në fund të moratoriumit, 60 mijë lloje shpendësh të egra u zbuluan në habitat dhe 140 mijë lloje të tilla ishin në fund të vitit 2021.

Nga ana tjetër, Perri shqetësohet se po u vazhdua kjo situatë për shumë kohë, mund të “zhdukë historinë dhe traditën” e gjuetisë në Shqipëri.

Gjithashtu, ravijëzon gjuetari, me këtë moratorium “i ligjshmi konsiderohet i paligjshëm” dhe kontrabandistët e gjuetisë “kanë gjetur parajsën”.

“Gjuetia nuk është vetëm sport, por edhe biznes me të ardhura financiare”, shprehet presidenti i federatës së gjuetarëve.

Sipas tij, dëmi ekonomik i konstatuar për shtatë vite moratorium është mbi 60 milionë euro.

“Kjo shumë mund të dyfishohet për pesë vitet e tjera”.

Federata Kombëtare Shqiptare për Gjueti dhe Konservim ka dorëzuar në Kuvend 20 mijë e 200 firma, ku kërkohet të kalojë projektligji i gjuetisë, por deri tani “asnjë përgjigje”.

“Po përballemi me arrogancën e pushtetit”.

Komuniteti i gjuetarëve paralajmëron se do të mbajë qëndrim sepse janë mbi 15 mijë gjuetarë të cilëve u është “mohuar një e drejtë e ligjshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore