Euro 2020

Morata: Pas ndeshjes me Poloninë, më kanë fyer dhe kërcënuar


Futbollisti spanjoll, Alvaro Morata, nuk është duke kaluar në formën e tij më të mirë në këtë Kampionat Evropian.

Forma e tij e dobët dhe rastet e shumta të humbura kanë bërë që ai të marrë edhe kërcënime nga disa fansa spanjollë.

Morata humbi një 11-metërsh, në fitoren e Spanjës ndaj Sllovakisë, me rezultat 5:0.

Sulmuesi i Kombëtares së Spanjës, në një intervistë për radion spanjolle “Cadena Cope”, ka thënë se ka pranuar mesazhe kërcënuese nga tifozët e Spanjës.

“Kam kaluar nëntë orë pa gjumë pas ndeshjes ndaj Polonisë. Kam marr kërcënime, fyerje ndaj familjes, duke më thënë ‘shpresojmë që fëmijët tuaj të vdesin’. Por unë jam mirë, mbase disa vjet më parë do të isha shumë më keq. Ndoshta nuk e bëra punën time siç duhej”, tha ai.

Futbollisti i Juventus-it pranon se është duke kaluar një kohë të vështirë, mirëpo atë e shqetësuan shumë kërcënimet dhe fyerjet që mori për familjen e tij.

“Nuk po kaloj në formë të mirë, e kuptoj që ju më kritikoni që nuk shënova, por njerëzit duhet ta vendosin veten në vendin tim, të kuptojnë se çfarë do të thotë të marrësh kërcënime, dhe të thonë se fëmijët e tu duhet të vdesin”, shtoi ai.

“Kur mbërrij në hotel, e fik telefonin, por gjëja që më shqetëson është që ata t’i thonë këto gjëra gruas dhe fëmijëve të mi në stadium”, përfundoi Alvaro Morata.

Morata ka qenë shumë i kritikuar për formën e tij, sidomos për ndeshjen kundër Polonisë, ku përkundër që realizoi një gol, pati shumë raste të humbura.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore