Lajme

Moore: Qeveria e Kosovës s’ka asnjë strategji pozitive politike


Jonathan Moore

Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare, shumë analistë politikë argumentuan si një strategji politike të Qeverisë së Kosovës për të fituar kohë dhe prolonguar sa më shumë zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Megjithatë me këtë konstatim nuk është pajtuar ish-zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit Amerikan, Jonathan Moore, meqë sipas tij Qeveria e Kosovës nuk po jep asnjë provë për një strategji pozitive politike.

“Asociacioni gjithmonë ka pasur për qëllim vetëm të pasqyrojë kapacitetet që kanë të gjitha komunat në Kosovë, duke lejuar që komunat me popullatë me shumicë serbe të punojnë së bashku”, thotë ai në një intervistë për Albanian Post.

Një strategji e vërtetë politike, sipas ish-ambasadorit të SHBA-ve në Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Bosnje e Hercegovinë, do të tregonte respektin e Kosovës për praktikat demokratike dhe institucionet sociale, do të hapte derën e Asociacionit, duke i lënë përshtypje partnerëve të saj ndërkombëtarë.

“Qeveria do të zbatonte me shpejtësi vendimet e gjykatës si ajo në lidhje me (Manastirin) e Deçanit dhe do të inkurajonte rritjen ekonomike përmes mbështetjes së qartë për sipërmarrësit mbresëlënës të Kosovës”.

Në krahasim, në shumë mënyra, vlerëson ai, Shqipëria ofron një model ndryshe dhe shumë më efektiv.

Marrë për bazë konsolidimin e munguar të shtetësisë së Kosovës dhe nevojës së saj për ndihmën e komunitetit ndërkombëtar për t’i arritur qëllimet e saj në arenën ndërkombëtare, diplomati i karrierës merr si shembull procesin e anëtarësimit të Suedisë e Finlandës në NATO, për të pasqyruar rëndësinë e bashkëpunimit me Perëndimin.

“Shikoni procesin që Suedia dhe Finlanda sapo kaluan për t’u anëtarësuar në NATO – dhe të dyja këto vende kanë demokraci të mirë-konsoliduar dhe sovrane. Ka anëtarë të BE-së dhe NATO-s që nuk e njohin Kosovën. Për këtë çështje, Kosova nuk është afër anëtarësimit në Kombet e Bashkuara”, shton ai,

I pyetur se çfarë ndikimi do të kenë zgjedhjet në Bashkimin Evropian dhe në SHBA-të në mbarëvajtjen e procesit të dialogut, ish i ngarkuar me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Bjellorusi dhe ish-zëvendës-shefi i misionit në ambasadat e SHBA-së në Namibi, Bjellorusi dhe Bosnje e Hercegovinë, potencon se askush në Kosovë nuk duhet të presë që bota t’i zgjidhë problemet e tyre.

Meqë në vlerësimin e tij ajo çfarë duhet të bëjë Kosova është të ndërmarrë hapa pozitivë dhe të tregojë aftësi për të menaxhuar politikat në atë mënyrë për të fituar mbështetje pozitive në këmbim.

Intervista e plotë e Jonathan Moore me Albanian Post

“Vendimi për dinarin – i gabuar dhe provokim i panevojshëm”, intervistë e Albanian Post me Jonathan Moore

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore