Lajme

“Vendimi për dinarin – i gabuar dhe provokim i panevojshëm”, intervistë e Albanian Post me Jonathan Moore


Ilustrim: Jonathan Moore

Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës, sipas ish-zyrtarit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, ka qenë e gabuar, e pakoordinuar dhe një provokim i panevojshëm.

Komuniteti ndërkombëtar kritikoi Qeverinë e Kosovës, jo për legjitimitetin e rregullores së BQK-së, po për faktin se vendimi u mor në mënyrë të njëanshme, pa konsultime paraprake dhe pa një fazë tranzicioni adekuatë.

Marrë për bazë faktin se Kosova aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, një gjë e tillë nuk mund të arrihet pa një bashkëpunim adekuatë me bashkësinë ndërkombëtare, vlerëson ish-ambasadori i SHBA-ve në Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Bosnje e Hercegovinë.

Prandaj për diplomatin e karrierës, Kosovës në këtë fazë i duhet një burrështetas si ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, kur në pyetje janë raportet me Perëndimin.

“Shikoni procesin që Suedia dhe Finlanda sapo kaluan për t’u anëtarësuar në NATO – dhe të dyja këto vende kanë demokraci të mirë-konsoliduar dhe sovrane. Ka anëtarë të BE-së dhe NATO-s që nuk e njohin Kosovën. Për këtë çështje, Kosova nuk është afër anëtarësimit në Kombet e Bashkuara. Kur fillova të punoj për herë të parë me Kosovën mbi 30 vjet më parë, ishte mjeshtëria e Ibrahim Rugovës që solli vëmendjen e botës në Kosovë. Në vitin 2024, Kosova ka nevojë për një burrështetas – jo për mllef”, potencon ai në një intervistë për Albanian Post.

I pyetur se çfarë ndikimi do të kenë zgjedhjet në Bashkimin Evropian dhe në SHBA-të në mbarëvajtjen e procesit të dialogut, ish i ngarkuar me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Bjellorusi dhe ish-zëvendës-shefi i misionit në ambasadat e SHBA-së në Namibi, Bjellorusi dhe Bosnje e Hercegovinë, potencon se askush në Kosovë nuk duhet të presë që bota t’i zgjidhë problemet e tyre.

Meqë në vlerësimin e tij ajo çfarë duhet të bëjë Kosova është të ndërmarrë hapa pozitivë dhe të tregojë aftësi për të menaxhuar politikat në atë mënyrë për të fituar mbështetje pozitive në këmbim.

Intervista e plotë e Jonathan Moore për Albanian Post

Albanian Post: Banka Qendrore e Kosovës së fundmi nxori një rregullore të re, ku mes shumë rregullimeve të tjera ndaloi edhe përdorimin e valutës shtetërore serbe dinarin në Kosovë, Serbia tha se vendimi është kundër serbëve me qëllim persekutimin e tyre, ndërsa Qeveria e Kosovës argumentoi të kundërtën duke potencuar se BQK-ja po zbaton një dispozitë të Kushtetutës, si e shihni ju gjithë këtë situatë?

Jonathan Moore: Faleminderit për mundësinë për t’iu përgjigjur pyetjeve tuaja. Jam shumë i kënaqur të ofroj mendime nga perspektiva ime personale. Vendimi për dinarin serb ishte i gabuar, i pakoordinuar dhe një provokim i panevojshëm. Kosova duhet të jetë në kërkim të zgjidhjeve dhe iniciativave pozitive dhe duhet t’i diskutojë ato ide me partnerët, përkrahja e të cilëve është e nevojshme për Kosovën.

Albanian Post: Komuniteti ndërkombëtar kritikoi Qeverinë e Kosovës, jo për legjitimitetin e rregullores së BQK-së, po për faktin se vendimi u mor në mënyrë të njëanshëm, pa konsultime paraprake dhe pa një fazë tranzicioni adekuatë. Sipas jush pse komuniteti ndërkombëtar reagoi kaq zëshëm?

Jonathan Moore: Kosova ka shumë prioritete. Ajo aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Shikoni procesin që Suedia dhe Finlanda sapo kaluan për t’u anëtarësuar në NATO – dhe të dyja këto vende kanë demokraci të mirë-konsoliduar dhe sovrane. Ka anëtarë të BE-së dhe NATO-s që nuk e njohin Kosovën. Për këtë çështje, Kosova nuk është afër anëtarësimit në Kombet e Bashkuara.

Kur fillova të punoj për herë të parë me Kosovën mbi 30 vjet më parë, ishte mjeshtëria e Ibrahim Rugovës që solli vëmendjen e botës në Kosovë. Në vitin 2024, Kosova ka nevojë për një burrështetas – jo për mllef.

Albanian Post: Ndalimi i dinarit përkeqësoi marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dëshmi për këtë ishte edhe intervista e fundit e James O’Brien, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë kritikoi Kosovën për vendimin e fundit, si do të duhej të vepronte Kosova sipas jush?

Jonathan Moore: Ndihmës Sekretari i Shtetit Jim O’Brien dhe ambasadori Jeff Hovenier kanë qenë shumë të qartë. Zyrtarët publikë në Kosovë duhet të respektojnë mesazhet e tyre dhe të përgjigjen në mënyrë të dobishme.

Albanian Post: Ka shumë zëra që argumentojnë se Qeveria e Kosovës me vendime të llojit sikur ajo e dinarit, po tenton të fitojë kohë dhe të prolongojë sa më shumë zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas jush a mund të jetë kjo një strategji politike dhe a përfiton Kosova nga kjo?

Jonathan Moore: Mund të më mungoj diçka, por nga distanca, nuk shoh asnjë provë të një strategjie politike pozitive nga ana e qeverisë aktuale. Asociacioni gjithmonë ka pasur për qëllim vetëm të pasqyrojë kapacitetet që kanë të gjitha komunat në Kosovë, duke lejuar që komunat me popullatë me shumicë serbe të punojnë së bashku.

Një strategji e vërtetë politike do të tregonte respektin e Kosovës për praktikat demokratike dhe institucionet sociale, do të hapte derën e Asociacionit, do t’i bënte përshtypje partnerëve të saj ndërkombëtarë, do të zbatonte me shpejtësi vendimet e gjykatës si ajo në lidhje me (Manastirin) e Deçanit dhe do të inkurajonte rritjen ekonomike përmes mbështetjes së qartë për sipërmarrësit mbresëlënës të Kosovës.

Në krahasim, në shumë mënyra, Shqipëria ofron një model ndryshe dhe shumë më efektiv.

Albanian Post: I dërguari i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, duhet të zhvillohet në shembullin e Marrëveshjes së Premtes së Mirë (Marrëveshja e Belfast-it), e cila i dha fund konfliktit mes palëve kundërshtare në Irlandën e Veriut, 25 vjet më parë. Sipas jush, a mund të normalizojë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë një marrëveshje si ajo e së Premtes së Mirë?

Jonathan Moore: Nuk kam njohur të thella për Marrëveshjen e Premtes së Mirë, gjithashtu nuk do të supozoja të rregulloja dialogun aktual. Elementet që lejojnë të drejtat dhe liritë e bashkësive të veçanta etnike dhe/ose fetare sigurisht që kanë merita. Është e rëndësishme që si Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja, edhe Mbretëria e Bashkuar të jenë të përkushtuara për të mbështetur dialogun.

Albanian Post: Viti 2024 është vit zgjedhor në shumë shtete anë e mbanë botës përfshirë edhe në Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si mund të ndikojnë zgjedhjet në mbarëvajtjen e procesit të dialogut?

Jonathan Moore: Kur isha në rajon kohët e fundit, më është bërë kjo pyetje shumë herë në lidhje me vendin tim. Së pari, pavarësisht se kush fiton në Shtetet e Bashkuara në nëntor, mund të jemi të sigurt të dëgjojmë nga shumë komentues në Ballkan dhe të ashtuquajtur ekspertë nga diku tjetër se Shtetet e Bashkuara e kanë “harruar” ose kanë lënë pas dore Ballkanin si gjatë ashtu edhe pas zgjedhjeve. Ne kemi shumë tema me rëndësi jetike në politikën e brendshme dhe gjithashtu po merremi me konfliktet aktuale aktive në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Këto konflikte dhe çështje të tjera ndërkombëtare do të vazhdojnë të konkurrojnë për vëmendjen e politikëbërësve.

Kjo do ta bëjë edhe më të vërtetë atë që thashë më herët: hapat pozitivë dhe burrështetëror në Kosovë do të marrin mbështetje pozitive në këmbim. Askush në Kosovë nuk duhet të presë që bota t’i zgjidhë problemet e tyre.

Albanian Post: Kanë kaluar 5 muaj nga sulmi terrorist i 24 shtatorit, kur një grup terrorist hyri ilegalisht në Kosovë dhe sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një pjesëtar të saj. Kosova fajësoi Serbinë për sulmin, duke theksuar se Beogradi zyrtar u përpoq të “aneksonte të gjithë Veriun e Kosovës”, por Beogradi tha se nuk kishte gisht në të. Si e keni parë ju gjithë këtë situatë, a mund që e njëjta situatë të përsëritet në një të ardhme të afërt?

Jonathan Moore: Nuk e kam vizituar Veriun për disa vite, dhe përtej raportimeve të mediave nuk kam qasje në informacione qeveritare ose analiza në lidhje me specifikat. Përshtypja ime kryesore është se cilado qoftë qëllimi, sigurisht që ishte një dështim dhe një krim. Edhe pse kam vizituar komunitete, kisha dhe manastire, mund ta imagjinoj vetëm stresin e ndjerë në Banjë ndërsa incidenti u zhvillua.

Albanian Post: Veriu i Kosovës po vazhdon të jetë burim i problemeve, paqartësisë dhe diktimit jo vetëm të agjendave politike, por edhe diskursit të përditshëm shoqëror. Kur dhe si merr fund kjo çështje si problem dhe përse është kaq e vështirë të gjendet një zgjidhje për Veriun e Kosovës?

Jonathan Moore: Më lejoni ta lë anash për një moment qasjen e mirë filozofike të tuajin. Nuk e di nëse në ndonjë moment të historisë një zgjidhje politike e një krize apo konflikti është vlerësuar universalisht apo në mënyrë të përhershme. Mirëqenia shtetërore, mbështetja dhe vizioni kur shprehen ndaj të gjithëve në Veri – dhe në mbarë Kosovën – e kombinuar me partneritet të ngushtë me fqinjët dhe komunitetin ndërkombëtar, sigurisht që do t’i bëjnë gjërat shumë më mirë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore