Lajme

Moldavia mirëpret samitin e ardhshëm të Komunitetit Politik Evropian


Moldavia do të presë samitin e ardhshëm të Komunitetit Politik Evropian, e ndjekur nga Spanja dhe më pas Britania e Madhe.

Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i presidentit të Këshillit Evropian.

Sipas tij, propozimi për të mbajtur samitin e ardhshëm të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin e Moldavisë “u prit pozitivisht nga të gjithë të pranishmit në sallë”. Më pas është planifikuar organizimi i samiteve në Spanjë dhe Britani.

Aktualisht nuk dihet se kur do të zhvillohet saktësisht takimi në formatin e Komunitetit Politik Evropian, por supozohej se samitet do të mblidheshin dy herë në vit.

Udhëheqësit e 44 vendeve evropiane që shtrihen nga Islanda deri në Turqi u takuan të enjten në Pragë.

Kjo, për të shfaqur edhe një herë një qëndrim të bashkuar kundër luftës së Rusisë në Ukrainë.

Kryefjala e takimit ishte kriza energjetike dhe inflacioni i lartë i nxitur nga konflikti në ekonomitë evropiane.

Samiti inaugurues i Komunitetit Politik Evropian përfshiu 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, partnerë aspirantë në Ballkan dhe Evropën Lindore, si dhe fqinjë si Britania – i vetmi vend që është larguar nga BE – dhe Turqia.

Rusia ishte e vetmja fuqi e madhe evropiane që nuk është ftuar, së bashku me fqinjin dhe përkrahësin e saj në luftën në Bjellorusi.

Snipers and traffic: What does Thursday's summit mean for Prague – and the world? - Prague, Czech Republic

Mikpritësi

Komuniteti Politik Evropian, nuk është një organizatë e re evropiane dhe nuk synon të zëvendësojë formatet ekzistuese të bashkëpunimit.

Kështu tha në fjalën e tij të hapjes kryeministri çek Petr Fiala.

Formati synon të mundësojë një diskutim të sinqertë të temave të përbashkëta por edhe të diskutueshme, shpjegoi Fiala.

Sipas tij, ideja e komunitetit politik evropian rrjedh edhe nga vlerat e promovuara nga ish-presidenti çek Václav Havel, slogani i të cilit “Evropa si detyrë” është miratuar nga presidenca aktuale çeke e BE-së si motoja e saj.

“Një detyrë që kërkon vëmendjen, përkushtimin dhe integritetin tonë. Ideja e një komuniteti politik evropian bazohet në këtë mënyrë të menduari”, tha Fiala.

Për kryeministrin çek, takimi duhet të mundësojë shkëmbim joformal të pikëpamjeve për aktualitetin në Evropë dhe botë.

“Nuk ka të bëjë me krijimin e një organizate të re evropiane apo zëvendësimin e formateve ekzistuese të bashkëpunimit. Tashmë ka mjaft prej tyre. Ne nuk do të pranojmë as ndonjë rezolutë zyrtare. Qëllimi është i thjeshtë – të kemi një diskutim të sinqertë për çështje me interes të përbashkët, por edhe për tema të diskutueshme”, nënvizoi ai.

EU 44-Leader Summit in Prague without Russia - NewsLooks

Deklaratat

“Ajo që do të shihni këtu është se Evropa qëndron në solidaritet kundër pushtimit rus në Ukrainë”, u tha kryeministrja islandeze Katrin Jakobsdottir gazetarëve në Kështjellën e Pragës në Republikën Çeke, ku po zhvillohej tubimi.

Homologu i saj belg, Alexander De Croo, tha “nëse shikoni vetëm pjesëmarrjen këtu, e kuptoni rëndësinë. I gjithë kontinenti evropian është këtu, përveç dy vendeve: Bjellorusisë dhe Rusisë. Pra, tregon se sa të izoluara janë këto dy vende”.

Kryeministri letonez Krisjanis Karins theksoi se pasojat e luftës së Rusisë ndaj Ukrainës janë emëruesi i përbashkët.

“Po na prek të gjithëve në kuptimin e sigurisë dhe po na prek të gjithëve përmes ekonomive tona, përmes rritjes së kostove të energjisë. Pra, e vetmja mënyrë që ne mund ta trajtojmë këtë është të punojmë së bashku, dhe jo vetëm me Bashkimin Evropian. Të gjitha vendet evropiane duhet të punojnë së bashku”, tha ai.

Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal ishte në Pragë për takimin, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy iu drejtua udhëheqësve me video.

“Nuk ka përfaqësues të Rusisë me ne këtu – një shtet që gjeografikisht duket se i përket Evropës, por nga pikëpamja e vlerave dhe sjelljes së saj është shteti më antievropian në botë”, tha Zelensky.

“Ne jemi tani në një pozicion të fortë për të drejtuar të gjitha fuqitë e mundshme të Evropës për t’i dhënë fund luftës dhe për të garantuar paqen afatgjatë”, tha ai. “Për Ukrainën, për Evropën, për botën”.

Krijuesit

Forumi është ideja e presidentit francez Emmanuel Macron dhe mbështetet nga kancelari gjerman Olaf Scholz.

Ata thonë se duhet të synojë të rrisë sigurinë dhe prosperitetin në të gjithë kontinentin.

Kritikët pretendojnë se forumi i ri është një përpjekje për të vënë frenat ndaj zgjerimit të BE-së.

Të tjerë kanë frikë se mund të bëhet një vendtakim bisedash, ndoshta që mblidhet një ose dy herë në vit, por pa ndonjë ndikim apo përmbajtje të vërtetë.

Mbikëqyrësi kryesor në Evropë për të drejtat e njeriut – Këshilli i Evropës – dukej i hutuar nga mbledhja.

Zëdhënësi Daniel Holtgen shkroi në Twitter se “Komuniteti Politik Evropian ‘mbetet ende për t’u përcaktuar'”.

“Në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, një komunitet i tillë pan-evropian tashmë ekziston: ai është Këshilli i Evropës”, tha ai.

At the Prague Summit, the family photo is the message – POLITICO

Macron e përshkroi mbledhjen si “një moment të rëndësishëm”.

Qëllimi, tha ai, është krijimi i një strategjie të përbashkët për t’u përballur me sfidat me të cilat përballet Evropa.

Scholz e quajti forumin e ri “një risi të madhe” sepse udhëheqësit mund të flasin për shqetësimet e tyre të përbashkëta “pa një agjendë ditore dhe nevojën për të arritur marrëveshje”.

Kjo do të ndihmonte në përmirësimin e lidhjeve me fqinjët e BE-së, “shumë prej të cilëve duan të bëhen anëtarë”.

Samiti i së enjtes nisi me një ceremoni hapjeje dhe u pasua nga një seri takimesh për liderët për të diskutuar mbi sfidat kryesore me të cilat përballet Evropa: siguria, energjia, klima, situata e rëndë ekonomike dhe migrimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore