Lajme

Miratohet Udhëzimi Administrativ për trajtimin e qenve endacakë


Ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka njoftuar se janë marrë hapat e parë për trajtimin e qenve endacakë në tërë territorin e Kosovës.

“Me Udhëzimin Administrativ për Kushtet dhe Kërkesat Teknike që duhet plotësuar nga Strehimoret e Kafshëve Shoqëruese, të nënshkruar sot nga Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, vendoset themeli i bazës ligjore për trajtimin e qenve endacakë nga secila Komunë në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, shkroi Kurti në Facebook.

Ndërkaq, ai shtoi se përmes kësaj nisme do të përcaktohen qartazi kushtet në të cilat do të trajtohen qentë dhe macet në Kosovë.

“Ambientet e ndara për çdo fazë, të përshtatshme me nivel të lartë të higjienës si dhe veprimet e sjelljet ndaj qenve endacak që nga momenti i kapjes, izolimit, trajtimit, kastrimit, sterilizimit, fazës post-operative, socializimit, adoptimit dhe lëshimit”, bëri me dije ai.

Ndërsa, nga ana tjerër ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se me këtë nismë është e mundur të ketë edhe siguri të garantuar për fëmijët e qytetarët e Kosovës në rrugë dhe njëkohësisht edhe përkujdes të duhur për mirëqenien e kafshëve endacake në përputhje më praktikat më të mira ndërkombëtare.

“Përmes Udhëzimit Administrativ për kushtet dhe kërkesat teknike që duhet plotësuar nga strehimoret e kafshëve shoqëruese, krijojmë bazën ligjore e cila ua përcakton komunave ne mbarë territorin e Republikës së Kosovës, kushtet se si duhet t’i trajtojnë qentë endacakë”, shkroi Peci në Facebook.

Ministri Peci i bëri thirrje Komunave që t’i përmbushin  obligimet ligjore dhe “të alokojnë mjete financiare të cilat do të mundësojnë adresimin e plotë të çështjes së qenve endacakë”.

Peci tregon se përmes këtij Udhëzim Administrativ do të parashihet krijimi i një programi për kontrollin e qenve endacak, organizimin e strehimores së kafshëve që do të mbështesë zbatimin e planeve lokale të kontrollit të popullatës së qenve dhe maceve, sigurimin e një lokacioni të sigurt për deponimin e trupave të kafshëve të ngordhura nga Komunat në mbarë territorin e Kosovës.

“Përmes këtij Udhëzimi Administrativ, përcaktohen në detaje veprimet dhe sjelljet ndaj qenve endacak që nga momenti i kapjes, izolimit, trajtimit, kastrimit, sterilizimit, fazes post-operative, socializimit, adoptimit dhe lëshimit”, shtoi ministri.

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe teksti

Ndërkaq, ai tha se ato kafshë “të cilat përbëjnë rrezik të përhapjes së sëmundjeve tek kafshët e tjera apo tek njerëzit si dhe shprehin agresivitet dhe rrezikojnë jetën e qytetarëve e shëndetin publik; do të eutanazohen”.

“Gjithashtu, ky udhëzim përcakton qartazi kushtet në të cilat do të trajtohen qentë dhe macet; ambientet e ndara për çdo fazë, të përshtatshme me nivel të lartë të higjienës”.

Gjithashtu, në këto strehimore, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që t’i vizitojnë “e njëherit edhe të adoptojnë qen apo mace”.

“Po ashtu, në funksion të këtyre strehimoreve, udhëzimi parasheh edhe kujdestarinë, ku qytetarët mund të kenë qasje në çdo kohë e orë për të raportuar çdo eventualitet”, përfundoi Peci.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore