Shqipëria

Miratohet nga Komisioni i Senatit kandidatura e David Kostelancik për ambasador të SHBA-ve në Tiranë


Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit amerikan miratoi të martën kandidaturën e diplomatit David J. Kostelancik në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Shtëpia e Bardhë e riemëroi Kostelancik këtë vit si ambasador në Shqipëri, duke rifilluar kështu procesin për shqyrtimin e kandidaturës, pasi në përfundim të kalendarit legjislativ të vitit të kaluar, së bashku me dhjetëra emërime të tjera, ajo nuk u fut në rendin e ditës të Senatit për votim.

Emërimet ishin bllokuar nga disa senatorë republikanë, një praktikë e zakonshme kjo e betejave politike në Washington.

Për emërimet që i ridërgohen Senatit, zakonisht nuk zhvillohen seanca të dyta dëgjimore.

Ende nuk dihet nëse Senati do ta marrë në shqyrtim në kalendarin e tanishëm legjislativ votimin e kandidaturës së tij dhe se kur mund të ndodhë. Vitin e kaluar, më 30 mars, gjatë seancës dëgjimore për miratimin e kandidaturës së tij në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë, zoti Kostelancik pati parashtruar përparësitë e tij si ambasador i ardhshëm në Shqipëri.

“Nëse konfirmohem në këtë detyrë do të bashkëpunoj me Shqipërinë për të forcuar institucionet demokratike dhe institucionet e drejtësisë. Presidenti Joe Biden e ka përcaktuar luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si pjesë të strategjisë sonë kombëtare. Kjo është një sfidë kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Kostelancik, duke theksuar se përparimi i reformës në drejtësi do të ndihmojë përparimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian.

Diplomati aktualisht po shërben si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneral Mark Milley.

Më herë ka mbajtur postin e Shefit të Misionit dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë i përkohshëm në Ambasadën e SHBA-së në Budapest të Hungarisë.

Ai ka mbajtur gjithashtu pozicionet e Drejtorit të Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore Qendrore dhe Drejtorit të Zyrës për Çështjet Ruse, në Byronë për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë si dhe të Drejtorit të Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare për Çështjet e Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit.

Kostelancik ka shërbyer gjithashtu dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë.

Ai ka shërbyer edhe në misionet e SHBA-ve në OSBE dhe NATO e në Ankara të Turqisë.

Diplomati Kostelancik, me origjinë nga shteti i Ilinoit, është diplomuar në Universitetin Northwestern të këtij shteti.

Ai ka gjithashtu dy diploma master nga Kolegji Kombëtar i Luftës, dhe Universiteti i Michigan-it. Diplomati flet rusisht, hungarisht, shqip dhe turqisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore