Kosova

Miratimi i Projektligjit për Fondin Sovran, Kurti: Do të ndihmojë në sigurimin e mirëqenies


Kryeministri i Kosoves, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përshëndetur miratimin në parim të Projektligjit për Fondin Sovran nga Kuvendi i Kosovës në seancën e së enjtes.

Përmes një cicërime në llogarinë e tij rrjetin social “Twitter”, Kurti ka thënë se me këtë hap, Kosova është më pranë të bashkohet me Irlandën, Slloveninë dhe Greqinë dhe vendet tjera evropiane.

“Fondi ynë do të përmirësojë rritjen tashmë të fortë të GDP-së (bruto produktit vendor), do të rrisë rentabilitetin e ndërmarrjeve publike dhe do të ndihmojë në sigurimin e mirëqenies së brezave të ardhshëm”, shkroi ai në “Twitter”.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës në seancën e së enjtes e ka miratuar në parim Projektligjin për Fondin Sovran.

Siç u bë e ditur nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, 61 deputetë kanë marrë pjesë në votimin e këtij projektligjit.

Të gjitha votat kanë qenë nga mazhoranca, kjo pasi që opozita e ka lëshuar seancën.

Miratimi i këtij projektligjit u bë në një nga seancat më të tensionuara të kësaj legjislature, ku pati edhe përplasje fizike në mes të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kabinetit qeveritar.

Çka është Fondi Sovran?

Fondit Sovran pritet t’i bartet pasuria më e rëndësishme publike e Kosovës.

Ky është mekanizmi përmes së cilit Qeveria e Kosovës mbledhë shumën e mjeteve monetare – surpluset e rezervave, shitja e resurseve natyrore, privatizimet – për qëllime të investimeve strategjike.

Në këtë pasuri, me të cilën do të menaxhojë Fondi Sovran, hyjnë ndërmarrjet publike të shtetit, ndërmarrjet shoqërore dhe asetet strategjike, të cilat aktualisht menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Kjo ka nisur të rregullohet përmes një Projektligji për Fondin Sovran, i cili ishte publikuar më 13 mars dhe deri më 2 prill ka qenë në konsultim publik. Pas konsultimeve është proceduar për miratim në Qeveri dhe tani në Kuvendin e Kosovës.

Projektligji e definon Fondin Sovran si institucion investues dhe zhvillimor të Kosovës. Kapitali themeltar i Fondit Sovran, siç thuhet në projektligj, është 20 milionë euro dhe mbulohet nga Qeveria e Kosovës.

Krijimi i Fondit Sovran ka qenë premtim elektoral i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Ky premtim pas marrjes së pushtetit është futur edhe në programin qeverisës katërvjeçar.

Kosova vazhdon të ketë probleme të mëdha ekonomike.

Opozita po e akuzon ekzekutivin për politika të gabuara ekonomike, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po largohen nga Kosova drejt Perëndimit.

Miratohet në parim Projektligji për Fondin Sovran

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore