Lajme

MINT hedh poshtë akuzat se vonesat procedurale të Qeverisë, po largojnë investitorët e huaj


Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka hedhur poshtë akuzat se vonesat procedurale të Qeverisë kanë shtyrë kompaninë franceze “Akuo Energy” të zhvendosë investimin e planifikuar nga Kosova, për në një shtet tjetër.

Sipas njoftimit të ministrisë, akuzat janë hedhur përmes kumtesave të ndara nga ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, dhe kryetari në largim i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

MINT zotohet se nuk është tërhequr nga projekti i kësaj kompanie franceze, ndërsa shton se ka edhe projekte të tjera me rëndësi.

“Kompania ‘Akuo Energy’, përmes filialit ‘Cicavica Wind Farm’ sh.p.k., synon të realizojë projektin e prodhimit të energjisë me erë ‘Çiçaciva’. Kompania franceze, e cila operon në disa vende të rajonit, i ka konfirmuar edhe sot Ministrisë se NUK po tërhiqet nga projekti investues në Kosovë, por ka edhe projekte tjera në rajon”, thuhet në komunikatën për media.

“Projekti është paraqitur fillimisht në fund të vitit 2018, por subjekti propozues ka dorëzuar aplikimin e kompletuar për investim strategjik tek në qershor 2020. Agjencia për Investimet dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve e Kosovës (KIESA) ka rekomanduar që projekti të shpallet investim strategjik, dhe Qeveria ka miratuar rekomandimin e KIESA-s në dhjetor 2020, por nuk ka arritur të sigurojë pëlqimin e Kuvendit të Republikës para zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2021”, thuhet tutje në deklaratë.

Mes tjerash, kjo ministri thotë t’ia ketë kumtuar lajmin kompanisë “Akuo Energy”, se lënda do të kalojë në fazën e riprocedimit në Komisionin Ndërministror për Investimet Strategjike, me pjesëmarrjen e institucioneve të reja në nivelin qendror dhe nivelin lokal.

“Riprocedimi do t’i hapë rrugë realizimit të investimit në përputhje me legjislacionin në fuqi, sidomos normat për ndihmën shtetërore – pra, pa tarifa nxitëse që mund t’u faturohet qytetarëve dhe të cilat ndalohen me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe të Republikës së Kosovës”.

“MINT mbetet e përkushtuar për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve në përputhje me ligjin dhe interesit publik të qytetarëve”, përfundon deklarata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore