Lajme

Ministrja Haxhiu e shefi i ri i EULEX-it flasin për reformën në drejtësi


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është takuar me shefin e ri të EULEX-it Giovanni Pietro Barbano, me të cilin ka diskutuar për punët në proces, rezultatet, prioritete e Ministrisë së Drejtësisë si dhe reformën në drejtësi.

Sipas njoftimit të MD-së, gjatë këtij takimi ministrja Haxhiu e ka uruar shefin e ri të EULEX-it Barbano për detyrën e re, si dhe ka falënderuar për mbështetjen e këtij misioni në sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë si dhe në bashkëpunimin lidhur me luftimin e dhunës në familje.

“Nga ana e tij, Barbano ka shprehur gatishmërinë në emër të misionit të cilin e drejton për të vazhduar bashkëpunimin me institucionet e Republikës së Kosovës, në veçanti Ministrinë e Drejtësisë, në rolin mbështetës në fushën e sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Barbano, Gjeneralmajor i Karabinierisë së Italisë, më 26 qershor, ka marrë zyrtarisht detyrën si Shef i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), me një mandat që do të zgjasë nga 26 qershori 2023 deri më 14 qershor 2025.

“Ndjej një përgjegjësi të madhe gjersa marr sot detyrën si Shef i EULEX-it, një partner strategjik i Kosovës në fushën e sundimit të ligjit dhe sigurisë. Duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për mandatin jetik të misionit, unë do të punoj me integritet dhe profesionalizëm për të vazhduar moton e misionit ‘Partneritet për drejtësi”, pati thënë Barbano.

Shefi i ri i EULEX-it pranoi se misioni operon në një kontekst ende të vështirë, në mes të tensioneve të ngritura në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë, ndërsa shtoi se përkundër vështirësive, misioni do të vazhdojë të mbështesë stabilitetin në Kosovë.

Ai e pason diplomatin suedez Lars-Gunnar Wigemark, i cili e përfundoi detyrën e tij si Shef i EULEX-it në qershor të këtij viti, ndërsa në fund të mandatit u dekorua me Medaljen Presidenciale për Sundimin e Ligjit nga Presidentja Vjosa Osmani

EULEX-i ka filluar punën në vitin 2008 dhe mandati aktual i tij mbulon periudhën deri më 14 qershor 2025 bazuar në Vendimin e Këshillit Evropian. Misioni i përgjithshëm i EULEX-it është mbështetja e institucioneve të përzgjedhura të sundimit të ligjit në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore