Lajme

Ministria e Shëndetësisë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar ndaj vapës


Ilustrim,.

Ministria e Shëndetësisë, ka bërë thirrje tek qytetarët që të kenë kujdes nga temperaturat e larta.

MSH-ja përmes një komunikate për media ka thënë se përmes ekspozimit nga dielli mund të pësojmë goditje nga vapa që shkakton dehidrim të organizmit i cili manifestohet me “ngërçe, vjellje, çrregullim diarreike, skuqje dhe djegie të lëkurës”.

“Kështu duke komplikuar sistemin kardiovaskular deri në insufiçiencë renale (dëmtim i veshkave)”.

Nga MSH-ja, janë dhënë edhe masat e rekomanduara mbrojtëse për shëndetin gjatë ekspozimit ndaj temperaturave të larta të ajrit mbi 30 gradë.

“Personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10:00-17:00”.

Ky dikaster ka sqaruar edhe disa mënyra të tjera për kujdes gjatë temperaturave të larta.

“Mbani trupin tuaj të freskët dhe të hidratuar, vishni veshje të lehta dhe të gjera, bëni dush të freskët, pini shumë ujë, shmangni pijet me sheqer, alkoolike dhe me kafeinë, mbani shtëpinë tuaj të freskët”.

“Hapni dritaret natën, reduktoni përdorimin e pajisjeve elektrike, qëndroni në hije, shmangni aktivitetin fizik të mundimshëm gjatë temperaturave të larta, mos i lëni fëmijët apo kafshët në makina të parkuara”.

“Nëse ju paraqiten simptoma si kokëdhembje, mundim, marramendje, tharje e gojës dhe lëkurës, lajmërohuni tek institucioni më i afërt shëndetësor!”.

Edhe në vendet e rajonit dhe Evropës është bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj temperaturave dhe orës se kur i ekspozohemi diellit.

Temperatura mesatare globale e ka prekur një rekord të ri në javën e parë të korrikut.

Këto kushte klimatike po konsiderohen vetëm një prej shembujve se si po rrezikohet bota nga ngrohja globale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore