Lajme

Ministri serb i mbrojtjes: Po u kërcënuan njerëzit tanë, ushtria në gatishmëri lufte


Katër ushtarë serbë

Nebojsha Stevanoviç, ministër i Mbrojtjes në Serbi, ka vizituar bazat ushtarake të Serbisë në Novi Sad nga ku ka deklaruar për media se “njësitë e ushtrisë serbe janë në gatishmëri të lartë luftarake”, kur është pyetur për situatën në Veri të Kosovës.

“Ushtria jonë është e gatshme të intervenojë dhe të mbrojë njerëzit e saj nëse diçka i kërcënon me jetë”, ka thënë Stefanoviç.

Ai përsëriti disa herë se ushtria në garnizone janë me moral të lartë dhe në pritje nëse diçka iu kërkohet.

“Askush mos ta mendojë se ata (shqiptarët në Kosovë) mund të bëjnë diçka kundër popullit serb”.

Bashkë me të në vizitë tek ushtarët serbë ishte edhe gjenerali Milan Mojsiloviç, i cili u tha mediave se grupet e ushtrisë janë në shkallën më të lartë të përgatitjes.

Se ushtria serbe po bëhet gati fillimisht e tha, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i cili krijoji kundërthënie me çka kishte deklaruar më herët se masat që do t’i ndërmarr Serbia në raport me Kosovën janë politike dhe ekonomike.

Ditë më parë, Albanian Post publikojë disa pamje të cilat shfaqnin se si xhandarmeria serbe patrullonin fare afër kufirit me Kosovën.

Madje, disa vrojtues ishin diktuar edhe nga njësitet elitë të policisë së Kosovës, të cilat po qëndrojnë tashmë afër një javë në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, duke vendosur masën e reciprocitetit për targat.

Situata, aktualisht, është e bllokuar, meqë pas intervenimit të policisë, serbët u mblodhën duke protestuar dhe bllokuan rrugën me kamionë.

Aktualisht, ato pika kufitare në Veri janë të kalueshme vetëm me këmbë, sepse automjetet e kanë të pamundur të çajnë barrikadat.

Në anën tjetër Qeveria e Kosovës dhe as policia e vendit nuk kanë shpjeguar se si do të vijojë aksioni dhe a ka një plan zhbllokimi.

Ndërkombëtarët – Bashkimi Evropian, dhe shtetet e QUINT-it, kanë bërë thirrje për ulje tensionesh, qetësi dhe rikthim në dialog.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore