Lajme

Ministri milioner i një shteti të varfër


Xhelal Sveçla

Problemet ekonomike janë përdorur nga pushteti për të justifikuar e mjegulluar paaftësinë për t’u ofruar një rrugëdalje njësiteve elitare të Policisë së Kosovës, ndonëse krejtësisht jorelevante për kërkesat konkrete të kësaj kategorie shoqërore. Kosova është vend i varfër dhe me buxhetin më të vogël në Evropë, ka deklaruar Xhelal Sveçla, ministri milioner i Punëve të Brendshme të Kosovës.

Rob i retorikës së vet del të jetë ministri Sveçla, duke marrë parasysh deklarimin e pasurisë së tij për vitin 2023 në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK). Shtëpi, lokal, veturë, truall e para të gatshme në bankë. Pasuri multi-milionëshe. Goxha shumë për një ministër të një shteti të varfër sikurse pretendohet të jetë Kosova.

Ministri i ka deklaruar shtëpi 300 metra katrorë në vlerë 600 mijë euro, gjithashtu një lokal 200 metra katrorë në vlerë 650 mijë euro. Vetëm pronat e paluajtshme të ministrit Sveçla kapin vlerën e 1 million e 250 mijë eurove, pa përfshirë veturën, paratë e gatshme në bankë apo pasurinë e bashkëshortes – aksionare në dy biznese.

Kjo është një farsë, një farsë shumë e trishtuar në fakt. Varfëria merret për justifikim pikërisht nga një zyrtar i lartë, subjekti politik të cilit i përket është ngjitur në majën e pushtetit ekzekutivit me premtimin për ta çliruar popullin dhe duke i dhënë fund korrupsionit dhe represionit mbytës dhe varfërues.

Derisa ka provuar të minimizojë protestën e pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI/FIT) të Policisë së Kosovës, ai ka thënë nëpërmjet një postimi në “Facebook” se edhe përkundër sfidave buxhetore, paga mujore gjatë këtij viti e zyrtarëve policorë që shprehën paknaqësitë e tyre të mërkurën janë mbi 2 mijë e 200 euro, përfshirë shtesat e rrezikshmërisë.

Gjatë protestave të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në kohën e gjatë të qëndrimit në skajet e opozitës, një parullë kishte rënë në sy: “Nuk jemi të varfër, jemi të vjedhur”. Kjo parullë është bërë pjesë e mozaikut aktual të shoqërisë kosovare, derisa një pjesë e madhe e buxhetit keqpërdoret dhe nuk orientohet drejt atyre që kanë më së shumti nevojë për mbështetje.

E një muaj pune për një polic është 40 orë në javë (160 orë në muaj) dhe për këtë angazhim paguhet veç 525 euro – rroga bazë për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, përfshirë ata të njësiteve elitare. Shtesa për rrezikshmëri ka qenë 215 euro, ndërsa ajo është ulur tash në 150 euro. Shtesa prej 100 eurove për “punë të veçantë” për njësitet elitare është hequr krejtësisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore