Lajme

Ministri i Mbrojtjes së Polonisë: NATO duhet të përshtatet me sfidat dhe kërcënimet e reja të sigurisë


Në një kohë që tensionet midis aleancës ushtarake perëndimore dhe Rusisë janë shtuar, sipas ministrit të Mbrojtjes së Polonisë, Mariusz Blaszczak, “NATO duhet të përshtatet me sfidat dhe kërcënimet e reja të sigurisë për mbrojtjen dhe për luftën hibride në kufirin polako-bjellorus”.

Në një postim në median sociale “Twitter”, më 6 dhjetor, ai ravijëzoi se kërcënime të tilla, si: zhvillimi i shpejtë i teknologjive, pandemitë, thellimi i mungesës së burimeve kryesore natyrore, përshpejtimi i proceseve demografike dhe ndryshimet klimatike nuk mund të menaxhohen vetëm nga një shtet.

Më tej, Blaszczak shprehet se lypsen përpjekje të përbashkëta ndërkombëtare.

“Në pragun e dekadës së tretë të shekullit të 21-të, NATO duhet të kthehet në rrënjët e veta dhe të rindërtojë aftësitë e saj për mbrojtjen kolektive”, tha ai.

Ai vuri në dukje se në Poloni “ushtarët ofrojnë mbështetje të madhe për Rojet Kufitare, duke mbrojtur kështu vendin dhe anëtarët e tjerë të NATO-s dhe BE-së nga destabilizimi”.

Gjatë fjalës së tij, ai tha se Polonia kishte nisur një plan ambicioz për të përmirësuar ushtrinë e saj.

“Kjo do të fillojë me hartimin e ligjeve të reja që do të kombinojnë dhe përditësojnë ligjet dhe rregulloret ekzistuese”.

Në fund, sipas Blaszczak, këto ligje të reja priten të hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm, duke shënuar “një epokë të re” për forcat e armatosura polake.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore