Lajme

Ministri i Jashtëm i Greqisë viziton Kosovën


Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, këtë të mërkurë do të qëndrojë në Prishtinë për një vizitë zyrtare.

Ai do të takohet me presidenten e vendit Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Presidenca ka njoftuar se takimi Osmani – Dendias do të ndodhë në ora 15:00, ndërkaq, nga kryeministria nuk ka pasur një njoftim zyrtar për takimin e Kurtit me Dendias. Këtë takim e konfirmoi vetë shefi i qeverisë kosovare gjatë ligjëratës së tij në Universitetin e Kembrixhit në Britani të Madhe.

Nuk është bërë e ditur nëse Dendias do të takohet edhe me homologen e tij në Kosovë, Donika Gërvalla.

Dendias gjithashtu pritet të ketë një takim të përbashkët me përfaqësuesit e Bashkësisë Ndërkombëtare në Prishtinë (UNMIK, Këshilli i Evropës, OSBE, EULEX, Zyra e BE/EUSR, KFOR dhe ambasadorë nga vendet e QUINTI-t, përkatësisht Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, ShBA-ja dhe Italia).

Kjo do të jetë vizita e tretë e Dendias në Kosovë brenda tri vitesh.

Dendias e pati vizituar Prishtinën edhe në qershor të vitit të kaluar, ku u prit nga presidentja Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore