Lajme

Mimoza Ahmetaj: Me aplikim në KE, Kosova përmbylli një punë intensive 10 vjeçare


Mimoza Ahmetaj, ish-konsull e Kosovës në Strasburg

Aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Ish-konsullja e Kosovës në Strasburg, Mimoza Ahmetaj, e ka cilësuar si përmbyllje të një pune që shteti e ka bërë për 10 vite rresht, që nga vet ekzistimi i zyrës së Kosovës në Strsburg.

“E gjithë puna që është bërë deri më sot është finalizuar me aplikim, mirëpo nga sot e tutje na pret një punë shumë e madhe deri te anëtarësimi në Këshillin e Evropës”, ka thënë Ahmetaj në Klan Kosova.

Ish-kosnullja e Kosovës në Strasburg thotë se bashkëpunuan shumë me organt e Këshillit të Evropës për të arritur deri tek kjo pikë.

“Në 4 vitet për sa kam qenë në Strasburg në mision, vëmendje e veçantë ka qenë përgatitja e dosjes së Kosovës për anëtarësim në Këshill. Në bashkëpunim të ngushtë me shtetet anëtare, në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin e Evropës, me sekretariatin dhe mekanizmat që janë brenda. Në mënyrë që në momentin kur ne aplikojmë, të mos zihen në befasi shtete anëtare apo mekanizmat tjerë që janë brenda Këshillit të Evropës”, ka shpjeguar Ahmetaj.

Ahmetaj rikujton se në këtë fazë, edhe aktualisht, Kosova ka bashkëpunim me Këshillin e Evropës përmes mekanizmave të saj.

“Gjithçka që ka të bëj me të drejtat e njeriut, demokracinë rendin e ligjin, ka qen fokus i joni i përbashkët që të avancojmë në këto tre sektorë”.

“Kosova është shtet anëtare në Komisionin e Venedikut dhe anëtare në Bankën Zhvillimore të Evropës dhe vetëm në dy vitet e fundit të Pandemisë, Kosova ka përfituar nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës një shumë prej 62 milion euro ndihmë e cila është dhënë në dy faza”.

“Në fazën e parë në vitin 2020 ndihmë prej 35 milionëve për luftimin e COVID-it ndërsa në vitin 2021, janë dhënë 25 milion euro për blerjen e vaksinave si dhe dy milion euro të tjera janë dhënë ndihmesë për bizneset e vogla të grave në Kosovë”.

Mimoza Ahmetaj, Ish-konsulle e Kosovës në Strasburg

Anëtarësimi në Këshillin e Evropë i dedikohet ekskluzivisht qytetarëve të Kosovës, ka deklaruar Ahmetaj, “jo vetëm për Gjykatën për të Drejtat e Njeriut dhe sjelljes së rasteve në gjykatë por edhe për qasjet në Procesin e Bolonjës gjë e cila Kosovën e ka hendikepuar për sa vite në vazhdimësi sa i përket çështjes së arsimit”.

Ndër të tjera Ahmetaj tregon se një shtet nuk mund të jetë anëtare në Bashkimin Evropian, pa qenë paraprakisht anëtare në Këshillin e Evropës.

“Sepse 70% e raportit të vendit që draftohet, që hartohet nga Bashkimi Evropian për shtetin kandidat, hartohet nga Këshilli i Evropës”.

Sa do të zgjasë procedura e antarësimit të Kosovës në Këshill nuk dihet saktë, por Ahmetaj tregon nga eksperiencat e shteteve të tjera se procesi mund të zgjasë deri në tre vjet e gjysmë.

“Një gjë është shumë e saktë. Procedura do të jetë e gjatë, është në diskrecion të vetë mekanizmave brenda Këshillit. Ajo që dihet është se ka shtete të cilat janë anëtarësuar për një vit dhe ka shtete që janë anëtarësuar për tre vite e gjysmë. Si për shembull Bosnja ka qenë një shtet që ka zgjatë edhe më tepër. Do të varet edhe nga ne dhe mekanizmat e Këshillit se sa shpejt do ta procedojnë dosjen e Kosovën nga një mekanizëm në tjetrin”.

Çka është e mirë është aktualisht në këtë proces, sipas Ahmetajt, është fakti që  “shtete nuk mund ta kthejnë më procesin në pikën zero, shtetet anëtare nuk kanë të drejtë të vetos pra diçka e cila nuk e bllokon Kosovën, por që procesi vazhdon deri në finalizim”.

Mimoza Ahmetaj ka bërë të ditur se ky proces nuk i përket vetëm qeverisë por komplet shtetit të Kosovës.

“I ngërthen në vete qeverisjen qendrore, lokale, pozitë e opozitë, parlamentin, qeverinë, shoqërinë civile dhe të gjithë Kosovën në tërësi. Ky është një proces nga e cila do të përfitojnë qytetarët e Kosovës e jo qeveria”.

Ndër të tjera Ahmetaj shtoi se dialogu Kosovë – Serbi nuk mund të ndërlidhet me procesin e Kosovës në Këshill, por mund të ketë shtete të cilat mund të kërkojnë nga Kosova që “të jetë bashkëpunuese, që të jetë e dedikuar që të jetë e përkushtuar për arritjen e një marrëveshje me Serbinë me një fjalë është një poçes që ka pikëpyetje në vete”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore