Muzikë

Miley Cyrus reflekton mbi ditët e saj “të errëta” në këngën e re “Used to Be Young”


Këngëtarja, Miley Cyrus tanimë duket të jetë pjekur mjaftueshëm, derisa së fundmi ka reflektuar mbi vitet e saj të turbullta të adoleshencës dhe fillimin e të 20-tave në këngën e saj të re “Used to Be Young”, të publikuar të premten.

Cyrus, 30 vjeçe, debutoi melodinë e zhytur në mendime dhe videoklipin e saj emocional, në të cilin ajo vesh një bluzë të vjetër të personazhit Mickey Mouse, në 10-vjetorin e dy momenteve ikonike – edhe pse të diskutueshme – në karrierën e saj.

Bëhet fjalë për performancën e saj me kërcim provokues në edicionin e vitit 2013 të ndarjes së çmimeve “MTV Video Music Awards”, dhe publikimin e hitit “Wrecking Ball”.

“E di që kam qenë e çmendur. E di që kam qenë argëtuese”, këndon ajo gjatë këngës, “ti thua se kam qenë e egër, unë them që kam qenë e re”, këndon tutje ajo.

Tekstet e këngës e gjejnë gjithashtu alumin e “Hannah Montana” duke kujtuar “secilën prej netëve kur ajo ndihej humbur” dhe se si ajo në fund kuptoi se “liria e tepërt, çon në zemra të thyera”.

Para publikimit të tij, Cyrus ndau në Instagram se ajo shkroi “Used to Be Young” pothuajse dy vjet më parë kur filloi të punonte në albumin e saj “Endless Summer Vacation”.

“Kam kaluar 18 muajt e fundit duke pikturuar një pamje zanore të perspektivës sime për ta ndarë me ju. Ka ardhur koha për të publikuar një këngë që mund ta perfeksionoja përgjithmonë”, shkroi ajo një postim.

“Edhe pse puna ime ka përfunduar, kjo këngë do të vazhdojë të shkruhet çdo ditë. Fakti që mbetet i papërfunduar është një pjesë e bukurisë së saj. Kjo është jeta ime në këtë moment, e papërfunduar ende e plotë”.

Së fundmi Cyrus ka shprehur edhe pikëpamjet e saj karshi reputacionit, derisa ka zbuluar dallimet në këtë sferë, nga babai i saj.

“Mendoj se këtu lidhja me mua dhe babain tim me famën dhe suksesin është jashtëzakonisht e ndryshme. Ndjenja e tij e dashur nga një audiencë e madhe ndikoi tek ai emocionalisht. Kur ai ndihet i veçantë ose i rëndësishëm, është si të shërosh një plagë fëmijërie dhe unë gjithmonë jam bërë të ndihem si një yll”, tha ajo tutje.

Miley Cyrus shpalos pikëpamjet e saj mbi të qenit “e famshme”

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore