Lajme

Milatoviç: Mali i Zi duhet të jetë pjesë e “Ballkanit të Hapur”


Jakov Milatoviç

Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, në një intervistë për të përjavëshmen serbe “Nedeljnik”, tha se Mali i Zi duhet të bëhet pjesë e nismës rajonale “Ballkani të Hapur”, duke shtuar se kjo nismë shkon paralel me “Procesin e Berlinit” dhe nuk duhet të shihen si konkurrente të njëra tjetrës.

“A kryhen integrimet ekonomike rajonale rreth CEFTA-s, Procesit të Berlinit apo nën kujdesin e Ballkanit të Hapur? Mendoj se këto janë procese paralele që janë komplementare”, ka thënë Milatoviç, duke shprehur edhe njëherë qëndrimin pro projektit të “Ballkanit të Hapur”.

Ai tha se gjatë fushatës elektorale ka qenë mjaft transparent sa i përket “Ballkanit të Hapur”, duke pasur parasysh interpretimet e shumta politike dhe polarizimet që kanë qenë të pranishme në opinionin malazez rreth kësaj çështje.

“Kam marrë mbështetjen historike të qytetarëve dhe aktualisht kam legjitimitetin më të madh në Mal të Zi për të folur për këto tema. Dhe mendoj se edhe qytetarët ishin të qartë kur ishte fjala për atë temë. Mendoj se Mali i Zi duhet të bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur”, tha Milatoviç.

“Procesi i Berlinit” nisi në vitin 2014 si një iniciativë diplomatike lidhur me të ardhmen e zgjerimit të Bashkimit Evropian me fokus në raportet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor që kishin filluar ta humbnin durimin me procedurat burokratike të unionit.

Iniciativa “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik. Kosova është shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka refuzuar pjesëmarrjen në çfarëdo cilësie – të paktën deri më tani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore