Shqipëria

Milanoviç pret Begajn, dhe zbulon arsyen pse Shqipëria nuk është tashmë në pragun e BE-së


Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj u mirëprit nga homologu i tij kroat në Pantovçak.

Kreu i shtetit ndodhet për një vizitë shtetërore dyditore në Republikën e Kroacisë.

Milanoviç dhe Begaj diskutuan për marrëdhëniet mes dy shteteve mike dhe aleate të Kroacisë dhe Shqipërisë.

Mes të tjerash u fol edhe për situatën në rajonin e Evropës Juglindore dhe rrugën evropiane të Shqipërisë pasi vendi filloi zyrtarisht negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian vitin e kaluar.

Begaj kujtoi fillimisht se kjo është vizita e tij e dytë si president jashtë vendit, pas asaj të Kosovës.

Sipas tij, fokusi i takimit ishte forcimi i bashkëpunimit, axhenda e integrimit evropian si edhe zhvillimet rajonale.

“Marrëdhëniet shqiptare kroate janë në ditën më të mirë falë marrëdhënieve të shkëlqyera historike mes dy vendeve. Ata kanë në themel të tyre prioritet e politikës së jashtme të dy vendeve. Në këto tre dekada kemi krijuar një kapital që është mjaft i mirë i bashkëpunimi ekonomik, diplomatik e politik”, u angazhua kreu i shtetit.

Ai shtoi se krerët shtetërorë të të dyja vendeve kanë bindjen se pavarësisht nivelit të shkëlqyer të marrëdhënieve dypalëshe dhe marrëdhënieve tregtare, ende mbetet shumë për të bërë në bashkëpunim ekonomik mes Shqipërisë dhe Kroacisë.

“Vlerësova se në këtë drejtim duhet të bëjmë më shumë. Investimet kroate janë të mirëpritura, veçanërisht në fushën e turizmit dhe energjisë, por edhe në fusha të tjera, si infrastruktura, bujqësisë. Për një ndërlidhje më të mirë mes dy vendeve ne ndikim drejtpërdrejtë të turizmit ka ardhur koha që të ketë linjë ajrore direkte mes dy vendeve, apo ndërlidhje mes porteve të dy vendeve”, theksoi presidenti shqiptar.

Milanoviç u ndal më gjerësisht te zhvillimet në rajon duke kujtuar arsyen pse Shqipëria nuk është tashmë në pragun e Bashkimit Evropian.

“Shqipëria duhet të ishte në një fazë shumë më të lartë të integrimit në BE shumë kohë më parë, nuk u bë kështu për shkak të paragjykimeve”, tha presidenti Milanoviç pas takimit. “Vendet si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të ishin afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian shumë kohë më parë”.

Sipas tij, kjo është e nevojshme sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Nuk mund ta theksoj sa duhet se sa e rëndësishme është që të bëheni pjesë e shoqërisë së BE-së dhe arsyeja e vetme pse nuk është kështu janë paragjykimet, mos të gënjejmë dhe ky është një fakt që mundeni. Nëse nuk e ndihmojmë Shqipërinë të bëhet pjesë e Perëndimit, do të vijë dikush tjetër, mendoj se është mjaft e qartë”, shtoi ai.

Sa i përket Kosovës, presidenti kroat deklaroi se Kosova është realitet, “shumica e shteteve evropiane e kanë njohur, disa jo” dhe theksoi se disa po veprojnë jashtë zakonit.

“Kroacia e njohu Kosovën ndër të parat, jo për të provokuar Serbinë, por sepse është realitet”, theksoi ai dhe shtoi se beson se shumë shpejt do ta njohin të gjitha vendet evropiane. “Serbia është në një situatë skizofrenike, ku po flirton me marrëdhëniet me Rusinë”.

Për Milanoviç, çështja e Kosovës është e pandashme nga marrëdhëniet me Serbinë.

“Shumica e qytetarëve serbë e kanë pranuar realitetin, por dikush duhet t’i shtyjë ata në atë drejtim”, tha ai dhe theksoi se sa i përket Kosovës, Serbisë nuk do t’i kërkohet një gjë e tillë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore