Sport

Milan arrin marrëveshjen për Brahim Diaz


Skuadra e Milan-it ka arritur marrëveshje me klubin e Real Madrid-it, për futbollistin Brahim Diaz, i cili qëndroi i huazuar te klubi kuqezi në sezonin e fundit.

Marrëveshja është arritur edhe për një tjetër huazim njëvjeçar, me të drejtë blerjeje për shumën e 22 milionë eurove.

Mirëpo, në këtë marrëveshje, klubit të Realit i është dhënë e drejta e riblerjes, për shumën e 27 milionë eurove, brenda një viti.

Kjo marrëveshje ishte mirëpritur si nga klubi i Milan-it, ashtu edhe nga futbollisti spanjoll.

Brahim Diaz nuk e ka fshehur në asnjë moment dëshirën për të qëndruar në Milano, por në të njëjtën kohë priste edhe ndonjë thirrje nga Reali, për të kuptuar nëse do të ishte në planet e tyre në sezonin e ardhshëm.

Ai kaloi një periudhë njëvjeçare në huazim te Milan-i, i cili kaloi momente mjaft të mira me klubin kuqezi.

Diaz ka shënuar shtatë gola dhe ka dhuruar katër asistime në 39 paraqitje me Milan-in, në të gjitha garat.

Kujtojmë që Diaz ishte transferuar nga Manchester City në Real Madrid, në vitin 2019 për shumën e 17 milionë eurove.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore