Lajme

Mijëra boshnjakë protestojnë para godinës së OHR-së


Me ftesë të disa partive politike, në Sarajevë po mbahet një protestë paqësore para Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë të Komunitetit Ndërkombëtar në Bosnjë dhe Hercegovinë (OHR).

Lajmi u bë i ditur nga “Agjencia Anadolu”.

Sipas saj, arsyeja e mbajtjes së protestave të sotme është vendimi i paralajmëruar i Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt për ndryshimet në Ligjin Zgjedhor të BeH dhe Kushtetutën e FBiH.

Disa mijëra qytetarë u mblodhën në protestën që filloi në orën 19:00, për të dërguar mesazhin se zgjidhjet e bazuara në diskriminim etnik, zgjidhje në kundërshtim me të gjitha standardet demokratike dhe ligjore, janë krejtësisht të papranueshme.

Dervo Sejdiç, ankuesi në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut, bëri thirrje për protesta si reagim ndaj mosmarrëveshjes me ndryshimet e planifikuara në Ligjin Zgjedhor në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Thirrjes iu bashkuan shumë parti politike, fillimisht Partia Social Demokrate e Bosnjë-Hercegovinës (SDP) dhe Fronti Demokratik (DF), më pas Lëvizja për Veprim Demokratik (PDA) si dhe Partia e Veprimit Demokratik (SDA) dhe të tjerë.

Protestuesit e mbledhur shfaqën dhjetëra flamuj kombëtarë të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Deri më tani nuk janë shënuar as incidentet më të vogla, ndërsa tubimi është siguruar nga një numër i madh policësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore