Lajme

Mexhiti: LVV-ja de facto do marrë pjesë në zgjedhje në RMV


Kryetari i Lëvizjes Demokratike në Maqedoni të Veriut, Izet Mexhiti, në një intervistë për Kanal 5 të hënën e 29 janarit e ka konfirmuar pjesëmarrjen de facto të Lëvizjes Vetëvendosjes në zgjedhjet e 8 majit, derisa ka njoftuar se pjesë e listave zgjedhore do jetë edhe Bekim Qoku, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Vetëvendosje de jure nuk do të jetë pjesëmarrëse në zgjedhje, por de facto po, sepse anëtar të saj do të jenë në listat zgjedhore, siç është Bekim Qoku i cili ka qenë deputet në parlamentin e RMV-së dhe tani do të marrë pjesë e listën zgjedhore, pra si pjesë e Lidhjes Evropiane për Ndryshim”, tha Mexhiti.

Ndërsa të dielën e 28 janarit, Bekim Qoku, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, theksoi se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi “nuk është kryeministër shqiptar”, pasi sipas tij, fillimisht do duhej të bënte homazhe te varrezat e dëshmorëve të rënë në konfliktin e vitit 2001.

“Talat Xhaferi, si kryeministër teknik, do të quhej shqiptar, sikur të paktën si gjest të parë prej kryeministri, të bënte homazhe në varrezat e dëshmorëve të rënë në konfliktin e vitit 2001, ku do të shprehte mirënjohje dhe respekt, sepse pa sakrificën e tyre, pa gjakun e derdhur të tyre, kjo arritje simbolike nuk do të ishte aspak e mundur”, shkroi Qoku në Facebook.

Ndryshe, para një jave, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili është edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, parti e cila është akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, ka thënë se partia e tij nuk është e regjistruar si subjekt politik në RMV.

Ai gjithashtu kishte theksuar se partia e tij nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut të cilat do mbahen gjatë muajit maj.

“Vetëvendosje nuk është e regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Ne kemi aktivistë, kemi zyrtarë të subjektit tonë politik në Kosovë që vijnë nga Maqedonia e Veriut, mirëpo këtu nuk kemi qendër të Vetëvendosjes formalisht të regjistruar, andaj edhe ne si Lëvizje Vetëvendosje nuk është që marrim pjesë këtu”, pati theksuar Kurti.

Vizita antihistorike e Albin Kurtit në Maqedoninë e Veriut

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore