Lajme

Vizita antihistorike e Albin Kurtit në Maqedoninë e Veriut


Albin Kurti ka themeluar parti në Shqipëri dhe si Kryeministër i Kosovës ka votuar kundër kryeministrit shqiptar duke prodhuar përfshirje brutale në politikat e brendshme të Shqipërisë dhe gjithashtu ka përçarë shqiptarët në Luginë duke marrë pozicione karshi politikanëve atje, por vizita e tij e fundit në Maqedoni të Veriut duke përkrahur opozitën shqiptare kundrejt partive shqiptare në pushtet përbën lëvizjen më antikombëtare të ardhur nga një lider i Kosovës jashtë shtetit zyrtar kosovar.

Maqedonia e Veriut në përgjithësi dhe shqiptarët atje në veçanti janë në një moment delikat historik.

Lëvizjet e ardhshme politike do të vendosin rrugëtimin e shtetit maqedonas drejt integrimeve euro-atlantike dhe do të përcaktojnë rolin e shqiptarëve brenda këtij shteti.

Vizita e Kurtit ishte një përpjekje për të mbështetur forca nacionaliste/fashiste maqedonase kundër pro-perëndimorëve dhe përçarë shqiptarët të cilët më në fund janë më të bashkuar se kurrë dhe pritet që në zgjedhjet e ardhshme të jenë forcë e madhe politike me më shumë deputetë se asnjëherë tjetër.

Çfarë saktësisht ndodhi?

Maqedonia e Veriut aktualisht e ka një pengesë për vazhdimin e procesit integrues dhe ajo quhet: Bullgari.

Ky shtet do që bullgarët të përfshihen si entitet i veçantë në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut përndryshe vazhdojnë ta bllokojnë rrugëtimin (është situatë e ngjashme pak a shume me atë që Maqedonia kishte me Greqinë prandaj iu desh ta marrë shtesën Veriore).

Integrimi euro-atlantik i Maqedonisë së Veriut është me interes jetik për ta konsoliduar vetën si shtet dhe me synime të qarta jashtë orbitave të tjera, pos asaj pro-perëndimore dhe rrjedhimisht integrimi në BE i Maqedonisë së Veriut është interes strategjik i shqiptarëve të cilët mbi 90 për qind janë pro këtij rrugëtimi të shtetit të tyre.

Për këtë arsye, partia më e madhe shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim e udhëhequr nga Ali Ahmeti – që është në pushtet bashkë edhe me Aleancën për Shqiptarët e Arben Taravarit (partia e Zijadin Selës) dhe Partinë Demokratike Shqiptare të Menduh Thaçit – po bën krejt çfarë është e mundur të mundësohet kjo aspiratë e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Në zgjedhjet e ardhshme, që mbahen vitin e ardhshëm, BDI, Aleanca për Shqiptarët dhe Partia Demokratike Shqiptare me shumë gjasë do të garojnë si të bashkuar për ta maksimizuar votën shqiptare me synim numër rekord deputetësh shqiptarë në parlamentin maqedonas-verior.

Kështu, ata jo vetëm që do të ishin një nga zyrat kryesor në qeveri, por zëri kryesor qeveritar dhe diktues i shtegut drejt të ardhmes pro-perëndimore.

Ahmeti, Thaçi dhe Taravari përballë kanë një opozitë të dobët si BESA e Bilall Kasamit dhe Alternativa e Afrim Gashit (fraksion i BESA-s) dhe Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit që u shkoqit nga BDI si fraksioni i njohur Grupi i Zjarrit.

Partitë e mëdha shqiptare si BDI dhe partnerët e saj aktualisht janë më afër LSDM-s që për momentin është partia pro-evropiane nga radhët e maqedonaseve.

Kurse VMRO-DPMNE-së së Hrisijan Mickoskit, që kundërshton ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, që është parakusht për të vazhduar negociatat për anëtarësim në BE, nuk i konvenon kjo opozitë e dobët shqiptare, prandaj po dëshiron ta forcojë.

Mickoski e do më të fortë BESA-n dhe partnerët e saj që t’i marrë në qeveri si partnerë i vogël, meqë qeveria atje nuk bëhet dot pa shqiptarët.

Në këtë mision për forcimin e këtyre partive për llogari të fashistëve të VMRO-DPMNE-së që qëllim ka shpërndarjen e votës shqiptare, aktor i rëndësishëm u bë Albin Kurti.

Vizita e tij e fundit në Maqedoninë e Veriut ishte një ndihmë që iu bë VMRO-DPMNE-së me qëllim dobësimin e partive të mëdha shqiptare dhe shpërndarjen e votës duke provuar kështu të mos lë asnjë parti të fuqishme shqiptare.

Në biseda që pata me intelektualë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, ata ende nuk e kuptojnë dot përse u desh Kurti ta bëjë këtë lëvizje kur është i vetëdijshëm për konstelacionet politike aktuale.

Gazetari Xhelal Neziri më tha se përtej të gjithave, “ardhja e Kurtit si socialdemokrat për t’i kryer punë Mickoskit djathtist e nacionalist, është e çuditshme”.

Gjithashtu, shpërndarja e votës shqiptare rrezikon jo vetëm dobësimin e BDI-së, por kalimin e nacionalistëve të majtë nga partia “Levica” që janë euro-skeptik dhe anti-NATO, si partia e katërt më e madhe në Maqedoninë e Veriut, pozitë që në zgjedhjet e fundit e pati Aleanca për Shqiptarët – Alternativa.

Politikologu Latif Mustafa që e njeh nga afër situatën politike në Maqedoninë e Veriut më tha se përkundër që në zgjedhjet nacionale të kaluara kishim këtë rezultat, zgjedhjet lokale panë tek rritej shumë Levica, parti nacionaliste që kritikon vazhdimisht faktorin shqiptar politik në Maqedoninë Veriore, kurse BDI-në e quan grup kriminal.

Janë këto dy parti maqedonase, VMRO dhe Levica, që përfitojnë më së shumti nga përçarja shqiptare në Maqedoninë e Veriut, të cilës i shërbeu Kurti me vizitën e fundit.

Në njërën anë, VMRO del parti e parë duke fituar të drejtën për koalicion qeveritar dhe sa për rregullin e pashkruar të përfshirjes së një partie shqiptare në qeveri – për shkak të stabilitetit ndër-etnik – fut si partner koalicioni ndonjë parti të vogël duke i dhënë vetëm pushtet formal.

Kjo ndodhë në një kohë kur shqiptarët kanë shansin jetik për të shtuar akoma më shumë prezencën në pozita udhëheqëse në qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

Siç dihet, aktualisht nga 26 anëtarë të qeverisë atje, duke përfshirë edhe kryeministrin, plotë 12 janë shqiptarë, duke pasur 2 zëvendës-kryeministra dhe udhëhequr disa nga ministritë kryesore.

Aktualisht në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut janë 28 deputetë shqiptarë nga 120 ulëse gjithsejtë dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare synimi është që të kenë mbi 30 për të shënuar kështu rezultatin më të favorshëm zgjedhor në historinë parlamentare të Maqedonisë së Veriut.

Plani për de-faktorizimin shqiptar duke i përçarë u pa kohë më parë kur ish-kryeministri Zoran Zaev kishte pasur një takim sekret me liderin aktual të VMRNO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe diskutuan eliminimin politik të BDI-së e Ali Ahmetit.

Zaev duke përdorur kartën identitare kishte bindur Mickoski-in për bashkëpunim politik në kurriz të marigjianlizimit të shqiptarëve në politikën maqedonase.

Duke ditur se mos-përfshirja e shqiptarëve në qeveri është e pamundur, Zaev kishte propozuar një parti periferike si Lëvizja BESA të përfshihet formalisht në ekzekutiv.

E mira është se ndërkombëtarët, veçanërisht Amerikanët janë kategorisht kundër një koalicioni të madh nga partitë maqedonase ku do të de-faktorizoheshin shqiptarët.

Burime ndërkombëtare të Albanian Post tregojnë se amerikanët janë shfaqur kategorikisht kundër pamundësimit të shqiptarëve të jenë lojtarë kyçë në dinamikat politike në Maqedoninë e Veriut.

Sipas të njëjtit burim, amerikanët i konsiderojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut si “aleatë dhe shumë luajalë”.

Në një artikull të publikuar në janar të këtij viti në Albanian Post ishte sqaruar se grupin e të pakënaqurve të BDI-së i udhëhequr nga Izet Mexhiti, është grup që kontrollohet nga Zaev.

Madje, mediat në Maqedoninë e Veriut në atë kohë patën publikuar artikuj ku thuhej se “Zaev i ka treguar liderit të VMRNO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, se ai i kontrollon të pakënaqurit e BDI-së”.

Kjo është edhe arsyeja përse Mickoski kishte deklaruar publikisht se mund ta rrëzojë qeverinë me grupin e BDI-së.

Ky plan, qëllim përfundimtar ka eliminimin e forcave reale politike shqiptare në Maqedoni, siç është Bashkimi Demokratik për Integrim dhe i Aleancës për Shqiptarët, duke i lënë shqiptarët praktikisht jo vetëm jashtë ekzekutivit – ku aktualisht gëzojnë edhe postin e dytë më të rëndësishëm – por realisht edhe pa fuqi fare, përveç opozitës brenda parlamentit.

Formalisht një partie të vogël si Lëvizja BESA do t’i mundësohet pjesëmarrje në qeveri, por pa kurrfarë fuqie praktike për të bërë presion në vendosje të agjendave, siç aktualisht kanë potencialin dy partitë shqiptare që e kontrollojnë stabilitetin politik në Maqedoni të Veriut.

Shqiptarët asnjëherë nuk kanë pasur pushtet më proporcional sesa aktualisht në qeverinë maqedonase.

Kjo nuk i konvenon VMRO-DPMNE-së dhe nacionalistëve të tjerë maqedonas, kjo dihet.

Përse kjo nuk i konvenon Albin Kurtit, kjo a dihet?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore