Art&dizajn

Metoda origamike e NASA-s për zbulimin e planetëve të rinj


“Universi është përplot me planetë”, kështu e nisi fjalimin e tij në TED Talks, N. Jeremy Kasdin, profesori i universitetit të Princeton-it, astrofizikani i cili është një prej studiuesve më të mirë të sistemeve ekzoplanetare.

Ai vazhdoi të shpalos vizionin e tij përkundër sfidës së madhe në detektimin e planetëve të rinj, nëpër sisteme yjore të largëta, problemi kryesor i së cilës është difraksioni i madh i dritës që obstrukton pamjen në teleskopë.

“Arsyeja pse është e vështirë të dallohen planetët nëpër orbitat e tyre yjore është shpërndarja e madhe e dritës që e verbëron pamjen në teleskop, dhe e shpërndan të gjithë intensitetin e saj në optikën tonë, duke na dhënë pamje tepër të ndritshme. Dhe, në mënyrë që të arrijmë të shohim planetin e ri, duhet arritur një zgjidhje për tërë atë dritë, të krijohet një hije, ose eklips i saj”, tha ai.

Ideatori i parë që kishte konceptuar një gjë të tillë ishte Lyam Spritzer, një prej etërve themelues të teleskopit hapësinor në 1962, dhe i cili ishte frymëzuar pikërisht nga eklipset e Hënës.

Inxhinierë, shkencëtarë dhe astronomë në Jet Propulsion Laboratory të NASA-s në Princeton, po punojnë në një koncept dhe dizajn krejtësisht të re për zgjidhjen e këtij problemi duke u bazuar në teknika të zanatit ose artit japonez të origamit.

Origami si teknikë dhe mjeshtëri artistike që rrënjët i ka në Japoninë e shekullit të 17-të, u ka ofruar shkencëtarëve dhe dizajnerëve një shumësi aplikimesh për qëllimet e tyre praktike.

Origami përdoret gjerësisht edhe në art, arkitekturë 3D, dhe mësimdhënie të matematikës

Pikërisht në metodat dhe formën origamike u ideua Starshade.

Starshade është një projekt futuristik i cili është dizajnuar dhe po vazhdon të testohet për qëllimin e eksplorimit të sistemeve ekzoplanetare. Ajo do të funksionoj për të zbehur shkëlqimin e madh të dritës të emetuar nga yjet dhe do të rrisë aftësinë e teleskopëve hapësinor për të zbuluar ekzoplanetët orbitues.

“Starshade fillon i mbështjellur rreth një qendre. Shkëputet nga teleskopi, petalet e saj fillojnë të hapen, pastaj teleskopi kthehet prapa dhe del jashtë – udhëton diku 50,000 kilometra larg saj, dhe i drejtohet pamjes nga ylli që do të vëzhgohet – ashtu do të krijojë një hije për të ndalur penetrimin e dritës – dhe Boom, planetët e kërkuar do të mund të dallohen”, kështu e shpjegoi funksionin e Starshade-it, Jeremy Kasdin.

Starshade është ende në fazat fillestare, por origami në hapësirë është prospekt i së ardhmes dhe do të ketë përdorime të shumta. Kub-satelitët, si satelitë-miniatura, sa madhësia e një valixhe, dizajnohen nën modelimet origamike dhe NASA pritet të nis edhe misione duke përdorur anije kozmike të tilla moduluara.

Astronomët besojnë se secili sistem yjor në galaksi ka së paku një planet në të, dhe se së paku një e pesta e tyre janë planetë të ngjashëm me Tokën, planete në të cilat zhvillohet jetë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore