Shqipëria

Meta-Kryemadhi në SPAK sërish…bashkë me fëmijët


Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, kanë përfunduar sërish në SPAK, pasi janë kallëzuar për fshehje të ardhurash, në një kohë kur kanë shpenzuar shumë të mëdha parash për (siç supozohet) operacione plastike jashtë vendit.

Padia, ndryshe ka e kaluara, e depozituar nga ish-deputeti Halit Valteri, nuk ka ardhur nga radhët e politikës, por të jurisprudencës.

Ka qenë avokati Idajet Beqiri, ai i cili e ka akuzuar çiftin mbi këto pretendime, duke shtuar se Meta dhe Kryemadhi kanë kryer trajtime mjekësore me vlera shumë të mëdha.

Një prej trajtimeve, sipas Beqirit, është kryer në San Marino dhe kap vlerën e 290 mijë eurove.

Meta nga ana tjetër, është trajtuar në Vjenë sipas tij, përgjatë viteve 2013-2014, kur ka qenë i sapo zgjedhur si kryetar i Parlamentit.

Padisë në këtë rast nuk i shpëtojnë as dy fëmijë të familjes Meta, djali Besar dhe vajza Bora, të cilët janë pjesë e padisë.

Një akuzë shumë e ngjashme me këtë të avokatit, i ka ardhur Metës në maj 2022, nga gazeta austriake “Kronen Zeitung”, e cila pretendonte se ai është i përfshirë në një aferë korruptive prej 700 mijë dollarësh.

Çfarë shkruante gazeta austriake asokohe?

Gazeta austriake “Kronen Zeitung” i ka kushtuar një artikull të plotë një çështjeje të pazakontë për publikun austriak, por me shumë interes për publikun shqiptar, pasi flitet për një aferë korruptive prej 700 mijë dollarësh, në të cilën është i përfshirë Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Jeta e një detektivi, madje, është e rrezikuar prej kësaj afere të pretenduar nga gazeta austriake.

Sipas mediasm në fakt, ky reportazh mund të trondisë peizazhin politik në Shqipëri.

Nga rrëfimi i informatorit sekret, bëhet me dije se gjithçka rrotullohet qark Ilir Metës në këtë ngjarje.

Në vitin 2017, Meta ka shpërndarë një fotografi me një kolege partiake, në inaugurimin e presidentit Donald Trump, përballë Capotol Hill në Washington.

Për të marrë Meta aksesimin në këtë ngjarje të inaugurimit të zyrtarit më të lartë amerikan, thuhet se Meta loboi te një kompani fantazmë qipriote. Kostoja ishte 700 mijë dollarë!

Ende në këtë ditë, sipas informatorit, është e paqartë se kush e ka paguar udhëtimin e Metës.

Vetë presidenti pretendon se ka marrë ftesë nga vetë republikanët.

Sipas disa dokumenteve të sistemit juridik amerikan ndërkaq, paratë janë kaluar nga një avokat i afërt me Metën përmes një kompanie offshore, të njohur si “Dorelita Limitied:.

Pak javë përpara inaugurimit të Trumpit, një kontratë është nënshkruar mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe këtij avokati. Menjëherë më pas, Meta nga kryetar i partisë dhe kryeparlamentar, u zgjodh President i Republikës.

Mirëpo, sipas informatorit, në SHBA shkoi me paratë e kësaj firme fantazmë.

Madje, pikërisht për arsye se kontrata e lobimit në postin që ai mbante tashmë do të ishte e vështirë për t’u shitur tek opinioni publik, asaj iu dha fund.

Por, një kontratë tjetër, po me “Dorelita Limitied”, u nënshkrua, pavarësisht se kompania nuk ka asnjë aktivitet biznesi të regjistruar.

Në listën e dyshuar të shpenzimeve të tyre, është një shumë prej 50 mijë dollarësh, e cila lidhet me takime të ndryshme me senatorë amerikanë, darka, udhëtime, madje deri te pagesat për ndërhyrje të kirurgjisë kozmetike nga bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi, e cila ka marrë drejtimin e partisë prej vitit 2017, duke hequr dorë nga posti i zonjës së parë të shtetit.

Gjithsesi, gjithçka mbetet në fjalët e informatorit dhe gazetës, pasi asnjë nga akuzat nuk është e provuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore