Lajme

Mësimdhënësit pritet të vlerësohen në vazhdimësi, jo njëherë në 5 vjet


Ilustrim

Puna dhe cilësia e mësimdhënësve në Kosovë do të vlerësohet çdo vjet rregullisht, e jo një herë në pesë vjet, siç ka ndodhur më herët.

Kështu të paktën ka njoftuar Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Popovci, i cili ka thënë se të gjithë mësimdhënësit në Kosovë do të fillojnë të marrin një licencë bazë.

“Vlerësimi i mësimdhënësve është i paraparë edhe me ligj dhe kështu janë duke u bërë edhe ndryshime në legjislacion. Sa i përket vlerësimit ideja është që të gjithë mësimdhënësit të marrin licencën bazë, e cila tregon gjendjen e cilësisë së mësimdhënies”, ka thënë Popovci për Ekonomia Online.

Me idenë se vlerësimi i mësimdhënësve duhet të jetë i vazhdueshëm, e jo në periudha të caktuara, pajtohet edhe drejtori i institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, i cili thekson se vlerësimi më i shpeshtë i punëtorëve arsimor do të tregonte për gjendjen në arsim si dhe do të ndihmonte në përmirësimin e mësimdhënësve.

“Pra jo vlerësime një herë në 5 vjet, jo vlerësime ku të vlerësuarit janë më të kualifikuar se vlerësuesi, por vlerësime të mirëfillta, të standardizuara dhe kredibile që na tregojnë se kush është gjendja e cilësisë së mësimdhënies dhe më e rëndësishmja e ndihmojnë vetë mësimdhënësin për përmirësimin”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj ka thënë se janë dakorduar me MAShT se test me shkrim për punëtorët e arsimit nuk do të ketë.

“Kemi insistuar dhe mbase do të bëhet një lloj vlerësimi i punëtorëve të arsimit që quhet vlerësim i brendshëm nga drejtorit e pastaj edhe një vlerësim i jashtëm përmes inspektorëve”.

“Ne jemi për vlerësim të tillë sepse duam të dimë se cili është niveli i punës që bëjnë punëtorët e arsimit, por jo test me shkrim”, tha Jasharaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore