Lajme

Mes ushtarëve ukrainas: Rusët janë të shumtë dhe të armatosur mirë, por ata nuk po depërtojnë


“A e dini cila është e vërteta? Se rusët janë shumë dhe kanë armë shumë më të mira se më parë. Nuk ka më kaos në njësitë e tyre si dy vjet më parë. Megjithatë, ne ende mbajmë pozicionet tona. Nëse do të kishim mjaftueshëm municion dhe raketa, do të fitonim shpejt. Sot, megjithatë, ne jemi duke luftuar, nuk jemi në gjendje të mbrohemi, morali është i ulët, jemi të lodhur. Por mos u besoni atyre që flasin për një përparim të afërt rus. Nuk është kështu, ata nuk kanë arritur të marrin as të gjithë Donbasin”.

Kështu thotë Ruslan, një rreshter i armëve në brigadën e 23-të të stacionuar në frontin Avdiivka.

Ai është 40 vjeç dhe ka luftuar në sektorin e Donetsk-ut, një nga më të vështirët, për rreth 20 muaj.

Për të gjithë në front ekziston e njëjta pyetje: a po e humb vërtet Ukraina luftën?

Përmbledhja e përgjigjeve nuk është e lehtë. Humori ndryshon shpejt.

Reporteri i “Corriere Della Sera”, Lorenzo Cremonesi, pas komunikimeve me komandot elitë të Brigadës së Tretë pa nga afër përjetimet e tyre.

“Të gjithë do të vdesim, nuk kemi shpëtim”, thonë ata.

Të nesërmen, një shofer tanku përsëriti: Hej, qetësohuni, askush nuk po e ngre flamur i bardhë! Mbani parasysh se rusët kanë përparuar vetëm 10 kilometra këtu, kanë humbur pothuajse 20 mijë burra në një muaj dhe tani nuk kanë forcë për të vazhduar.

“Vë bast çfarë të doni: më 31 dhjetor ne do të luftojmë ende në këto anë”.

Me Ivanin, një oficer 36-vjeçar i Brigadës së Tretë me origjinë nga Kievi, reporteri hëngri drekë në një tavernë në Mirnograd me hartat ushtarake të hapura në celular.

“Rusët na kërcënojnë në kufijtë 2 mijë kilometra të gjatë nga Bjellorusia deri në Detin e Zi dhe në të vërtetë kanë ecur për më pak se 400. Por ata nuk duhet të nënvlerësohen aspak, ata mësojnë nga ne”.

“Dy vjet më parë ata ishin injorantë nga provincat e largëta, mish për top. Sot ata kanë studiuar nga gabimet e së shkuarës: armëve tona u mungojnë municionet dhe ata e shfrytëzojnë atë, sulmojnë në grupe të vogla nga 5 deri në 15-20 ushtarë më së shumti, kanë mësuar të shpërndahen për të kufizuar humbjet dhe dinë të përdorin shumë mirë dronët”.

Ai thotë se raporti për dron është, një për dhjetë prej tyre.

“Rusët kanë dhjetë dronë për secilin prej ushtarëve tanë. Po humbasim sfidën, aty ku fitonim dikur. Dhe ata po përdorin bombat e reja ajrore të drejtuara. Guxojnë me aviacionin më shumë se më parë sepse e dinë që anti-ajrorët tanë janë bosh”.

Mendimi më i përhapur mbetet se linjat e ndërtuara me ngut pas rënies së Avdiivkës janë ende shumë të dobëta.

Rusët përparuan, duke pushtuar rreth 20 fshatra.

Por Putini nuk do të jetë në gjendje të përfitojë realisht nga situata e favorshme aktualisht, përveç nëse bën thirrje për një mobilizim të ri për të mbledhur të paktën 300 mijë ushtarë, siç ndodhi në verë-vjeshtën e 2022-shit.

Kjo do të thotë se ukrainasit kanë ende dy deri në katër muaj për të marrë masa.

Askush nuk ka asnjë iluzion: Zgjedhja e Putinit për të vazhduar me gishtin drejt Ukrainës si nxitëse e masakrës në Moskë do të thotë se lufta do të vazhdojë më e dhunshme se më parë.

Zelensky forcon më tej radhët, shkarkon Oleksii Danilov nga posti i sekretarit të Këshillit të Mbrojtjes Kombëtare dhe e zëvendëson atë me Oleksandr Lytvynenko, ish-drejtues i shërbimeve të huaja.

Ministri i Jashtëm Kuleba insiston edhe një herë në dërgimin e raketave gjermane Taurus dhe kërkon Patriotët Amerikanë.

Kievi fundos një tjetër anije ruse në Detin e Zi dhe pret pjesën e parë të 800 mijë predhave të artilerisë 155 mm, të blera falë konsorciumit të vendeve donatore të organizuar nga Republika Çeke.

Franca dje përsëriti se është në gjendje të dhurojë 78 armë Caesar, të cilat kanë provuar të jenë shumë efikase.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore