Libra

Mendimi (ç)magjepsës politik i Kantit


Në një kohë kur të gjithë mendjet e shkolluara të Prusisë kishin dalë në mbrojtje të legjitimetit të monarkisë së Frederikut të II-të, për shkak të tërmeteve politike të shkaktuara nga Revolucioni Francez, profesori i qetë i Konigsbergut, Immanuel Kant-i, me lot në sy u kishte thënë miqve të tij:

“Tash ndihem si Simeon-i, kur thoshte ‘Zot, lëre tani shërbëtorin Tënd të ndahet në paqe nga jeta, sepse sytë e mi e kanë parë shpëtimin Tuaj’”.

Nëse Hobbes-in e kishte shokuar vetë teza e tij se “njeriu për njeriun është ujk” dhe se gjendja natyrore njerëzore ishte “betejë e të gjithëve kundër të gjithëve”, për Kantin beteja ishte metoda e natyrës për zhvillim e kapaciteteve të fshehura njerëzore, të cilat pa “betejën” nuk mund të aktualizohen dhe nuk mund të bëhet progres.

Po të ishte njeriu fundamentalisht social, njeriu do të stagnonte, do të mbetej në të njëjtin vend. Dhe një dozë e konsiderueshme individualiteti dhe konkurrence është e domosdoshme për llojin njerëzor që potencialitetet e tyre t’i aktualizojnë.

“Pa cilësi antisociale, njeriu do të kishte jetuar një jetë bariu arkidian në harmoni të plotë, të kënaqshme, dhe me dashuri të ndërsjellë; por në atë rast të gjitha talentet e tij do të kishin mbetur përgjithmonë të fshehura dhe të fjetura”, pasazh ky i Kantit, ku tregohet se nuk ishte ndjekës i verbër i sentimentalistit francez, Rusoit.

“Le t’i falemnderohemi natyrës, pra për këtë antisocialitet, për këtë lakmi, xhelozi dhe kotësi; për këtë dëshirë të paepur për posedim dhe pushtet. Njeriu, edhe dëshiron jetë të pajtueshme; por natyra e di më mirë se çka u duhet specieve të saj, dhe ajo sjell mospajtueshmëri, në mënyrë që njeriu të ndihet i detyruar që t’i shpalosë fuqitë e tij, dhe të zhvillojë më tej kapacitetet e tij të natyrshme”, shkruan Kanti.

Por për gjithë këtë mospajtueshmëri, konkurrencë, individualitet, betejë, shumë shpejt bëhet e nevojshme që të kufizohet në rregulla, zakone dhe ligje, dhe këtu është edhe origjina e shoqërisë civile.

“Historia e racës njerëzore, e parë në tërësi, mund të konsiderohet si realizimi i fshehur i planeve të natyrës që të sjellë një kushtetutë politike, brendësisht dhe jashtësisht të përsosur, si gjendja e vetme në të cilën të gjitha kapacitetet njerëzore të implantuara në njerëzimin mund të zhvillohen”.

Në esenë e tij “Mbi Paqen e Përhershme”, ai edhe vetë tregon se si një titull i tillë mund të përqeshet dhe nën titull shkruan se “Këto fjalë njëherë i shkroi një pronar holandez i një hoteli në tabelën e tij në hyrje, si përshkrim satirik për varrezat në oborr të kishave”.

Kanti shpresonte se, pas Revolucionit francez anembanë Evropës do të lindnin Republika dhe një rend ndërkombëtar demokratik. Qeveria, për Kantin, në fund të fundit, duhet t’i shërbejë individit, dhe jo individi asaj.

“Secili njeri duhet të respektohet si një qëllim absolut në vetvete; dhe është krim kundër dinjitetit të tij, që i takon si qenie njerëzore, që ai të përdoret vetëm si mjet për realizimin e një qëllimi të jashtëm”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore