Lajme

Menaxherët e aseteve mund t’i mbyllin përgjithmonë fondet në Rusi


Kompanitë e menaxhimit të fondeve, duke përfshirë Danske, Nordea dhe Jupiter, kanë ndërmarrë hapa për të mbyllur përgjithmonë fondet e ekspozuara shumë ndaj Rusisë.

Kjo, si shenjë që tregon se investitorët nuk presin që vendi të ribashkohet në tregjet globale edhe për disa vite.

Shumica e fondeve me zotërime të mëdha në letrat me vlerë ruse janë ngrirë që nga fillimi i marsit, javët e para, pasi Presidenti Vladimir Putin pushtoi Ukrainën fqinje.

Pezullimet bllokuan kapitalin e investitorëve me vlerë miliarda dollarë, pasi tregjet e Moskës u mbyllën dhe çmimet e aseteve ranë.

Një sërë sanksionesh ndëshkuese perëndimore dhe kundërmasa ruse – duke përfshirë ndalimin e të huajve që tregtojnë në bursën e Moskës – e kanë bërë të pamundur vlerësimin dhe tregtimin e pozicioneve.

Dega e investimeve të Danske Bank të Danimarkës që nga fundi i prillit ka filluar likuidimin e tre fondeve të saj të Rusisë dhe Evropës Lindore.

“Duke pasur parasysh përshkallëzimin e konfliktit dhe sfidat me likuiditetin e zgjidhjen e investimeve të fondeve, ne nuk e konsiderojmë rihapjen e fondeve si në interesin më të mirë të aksionarëve”, njoftoi Danske, përcjell Albanian Post.

Vlera e aseteve të fondeve ishte e ulët dhe nuk pritej të rritet në të ardhmen e afërt, ndërsa kostoja e likuidimit do të përballohet nga kompania, shtoi Danske.

Nordea Funds gjithashtu tha se do të largohej nga të gjitha investimet e lidhura me Rusinë dhe se do të likuidonte fondin e saj të Rusisë, me pagesën e parë për mbajtësit e kuotave të planifikuara më 31 gusht.

“Në varësi të situatës së tregut dhe masave kufizuese të vendosura, si sanksionet, do të duhet një kohë e gjatë përpara se të gjitha pronat e fondit të mund të shiten”, paralajmëroi Nordea.

Në Mbretërinë e Bashkuar, menaxheri i fondit Jupiter bëri me dije se kishte aplikuar te rregullatorët për të mbyllur fondin e saj Emerging Europe dhe do të vazhdonte me likuidimin pasi të miratohej.

Menaxheri suedez i aseteve, Carnegie Fonder, do të lejojë shitjet e njësive në fondet e tij në Rusi vetëm pasi të rifillojë tregtimi.

“Për sa kohë që tregu është i mbyllur, është e vështirë të merren vendime të mëtejshme në lidhje me të ardhmen e fondit, veçanërisht pasi pjesa më e madhe e fondit është në pronësi të kursimtarëve suedezë të pensioneve.

Është përgjegjësia jonë ligjore të bëjmë atë që mundemi për të ruajtur kursimet e tyre”, tha Carnegie Fonder.

Investitorët e huaj – nga fondet mbrojtëse te planet e pensioneve – mbanin, në fund të vitit 2021, rreth 170 miliardë dollarë në asete ruse.

Menaxherët e aseteve duke përfshirë JPMorgan, BlackRock, Amundi, UBS, BNP Paribas, Abrdn, Schroders dhe Pictet kanë ngrirë të gjithë fondet e përqendruara në Rusi që nga pushtimi, por nuk kanë thënë nëse do të mbyllen përgjithmonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore