Lajme

Mehaj thirrje qytetarëve të kontribuojnë në Fondin e Sigurisë: Për të garantuar një Kosovë të sigurt


Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë thirrje tek qytetarët e Kosovës, që të kontribuojnë me të holla në Fondin e Sigurisë.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ministri është shprehur se vetëm kështu mund të forcohet ushtria.

“Ushtria jonë përmes investimit në armatime dhe pajisje të tjera ushtarake po konsolidohet në vazhdimësi”.

“Që të jetë edhe më e fortë për të garantuar një Kosovë më të sigurt, të gjithë ju qytetarë të dashur mund të kontribuoni duke dhuruar në Fondin e Sigurisë në llogarinë aktive brenda apo jashtë vendit”, ka shkruar Mehaj.

Më 29 dhjetor të 2022, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, kishte bërë të ditur se kanë hapur një llogari ndërkombëtare për të pranuar kontribute nga diaspora në Fondin për Siguri.

Kurse më 1 mars, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte bërë të ditur se është themeluar Fondi i Sigurisë.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook, kishte pohuar se ky fond është bërë i domosdoshëm pas agresionit rus në Ukrainë.

“Në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kam autorizuar sot Ministrinë e Financave për themelimin e “Fondit të Sigurisë”, kishte shkruar Kurti.

Ai tutje pati sqaruar se funksionimi i këtij fondi do të rregullohet me akte përkatëse procedurale dhe do të përdoret ekskluzivisht për qëllimin e përcaktuar nga qeveria.

Që prej vitit 2018, FSK-ja është në proces të transformimit në ushtri.

Ky proces është thënë se do të zgjasë dhjetë vjet.

Fondi i Sigurisë, përpjekja e dëshpëruar e qeverisë për të bërë diçka

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore