Kosova

Kosova hap llogari ndërkombëtare për të kontribuar në Fondin e Sigurisë


Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka hapur edhe një llogari ndërkombëtare për të pranuar kontribute nga diaspora.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ministri ka sqaruar hapat që duhet ndjekur.

“Tani, kontributet në Fondin e Sigurisë që vijnë nga jashtë vendit mund t’i pranojmë edhe në llogarinë ndërkombëtare si më poshtë (foto 1), kurse ato që vijnë nga brenda vendit mund të përdorin llogarinë e hapur në BQK (foto 2)”.

Ndërkaq, që informacionet shtesë ka thënë se do të jenë në faqen eKosova.

“Për mënyra alternative se si të kontribuoni, tashmë është edhe faqja e dedikuar për Fondin e Sigurisë në eKosova që ofron informata e detaje shtesë”.

Edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, të enjten ka bërë thirrje nga qytetarët që të kontribuojnë në Fondin e Sigurisë.

“Sot, gjersa kemi ushtrinë dhe Republikën, na duhet mbështetja juaj për ta konsoliduar Forcën e Sigurisë së Kosovës në nivelin e ushtrive anëtare të NATO-s, kështu vlerat demokratike të shtetit tonë mbrohen, dhe jeta e çdo qytetari është e sigurt”, ka shkruar Mehaj.

“Prandaj, ju ftoj të kontribuoni në Fondin e Sigurisë, për interesat shtetërore, për forcën që do mbroj atdheun, do siguroj jetën tuaj dhe të ardhmen e fëmijëve”.

Sipas ministrit, vetëm kjo është forma përmes të cilit mund të mbrohet atdheu.

“Ne të gjithë e kemi për obligim ta lëmë këtë vend më të mirë nga se e kemi trashëguar, ne e kemi për obligim të mbrojmë të ardhmen e kombit!”.

Kërkesa që të themelohet Fondi i Sigurisë në Kosovë, është bërë që nga viti 2009, atëherë kur Trupat Mbrojtës të Kosovës (TMK) zyrtarisht u shpërbën në Forca të Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ky fond i miratuar me 1 mars 2022 nga Qeveria e Kosovës, do të shërbejë ekskluzivisht vetëm për ushtrinë e Kosovës, qoftë për blerjen e armatimit, qoftë për trajnimin e ushtarëve të Kosovës. uxheti që ka ndarë Qeveria e Kosovës për FSK-në në 2022 kap vlerën e mbi 100 milionë eurove.

Që prej vitit 2018, FSK-ja është në proces të transformimit në ushtri. Ky proces është thënë se do të zgjasë dhjetë vjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore