Lajme

Mehaj pret në takim lamtumirës ambasadorin e Turqisë: Do të vazhdojmë të kemi bashkëpunim të gjatë


Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ambasadori i Republikës së Turqisë, Çağrı Sakar

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj e ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës së Turqisë, Çağrı Sakar pas përfundimit të misionit të tij diplomatik në Kosovë.

Mehaj, ka shprehur mirënjohje ndaj tij, duke thënë se do të vazhdojnë bashkëpunimin me shtetin e Turqisë.

“Me këtë rast i shpreha mirënjohjen time për kontributin e dhënë në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Turqisë”.

“Turqia është shteti ynë partner, me të cilën do të kemi bashkëpunim të gjatë dhe në shumë drejtime, e po ashtu jemi falënderues për të gjithë përkrahjen e ofruar në konsolidimin e FSK-së, dhe mbështetjen në rrugëtimin tonë si shtet drejt anëtarësimit në NATO”, ka shkrur Mehaj.

Ai tutje i ka uruar ambasadorit suksese në angazhimet e radhës.

Më 23 janar, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte pritur në takim lamtumirës ambasadorin Sakar.

Në këtë takim të fundit gjatë mandatit të tij, shefi i ekzekutivit e kishte falënderuar  ambasadorin Sakar për bashkëpunimin në Kosovë.

Kurse e kishte vlerësuar angazhimin e tij për thellimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, si dhe për projektet e përbashkëta në fusha të ndryshme.

Më 25 janar, ambasadori ishte pritur në takim lamtumirës edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore