Lajme

Mehaj: FSK-ja e gatshme për të kontribuar në formacion të përbashkët me vendet e Kartës së Adriatikut


Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se FSK-ja është e gatshme për të kontribuar në formacion të përbashkët me vendet e Kartës së Adriatikut, SHBA-A5, në të mirën e paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë.

Sipas tij, ky ishte mesazhi kryesor i Gjeneral Jasharit në konferencën vjetore të Kartës së Adriatikut, SHBA-A5, në nivel të shefave të mbrojtjes, mbajtur në Budva të Malit të Zi.

“Gjithashtu, në fjalimin e tij gjatë konferencës, përveç paraqitjes së kapaciteteve dhe zhvillimit të FSK-së bazuar në doktrinën perëndimore, Gjeneral Jashari zyrtarisht u kërkoi homologëve që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Ai ka theksuar se me rëndësi shumë të madhe, ishte edhe takimi i Gjeneral Jasharit me komandantin e Komandës së Forcave Amerikane në Evropë (EUCOM), Gjeneral Christopher Cavoli.

“Gjatë takimit, Gjeneral Jashari falënderoi Gjeneral Cavolin për mbështetjen që SHBA si partner strategjik po ofron për Kosovën dhe FSK-në në vazhdimësi. Po ashtu, u diskutua situata e sigurisë në rajon dhe impakti i luftës në Ukrainë”.

“Gjeneral Cavoli e përgëzoi Gjeneral Jasharin për të arriturat e FSK-së dhe njëherit ritheksoi që SHBA do të vazhdojë të mbështesin FSK-në në rrugën e ngritjes dhe zhvillimit të kapaciteteve ushtarake”.

Mehaj bëri të ditur se gjatë zhvillimeve të Konferencës, Gjeneral Jashari ka takuar edhe homologët e tij, respektivisht shefat e mbrojtjes së Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut dhe nikoqirin e konferencës, atë të Malit të Zi.

“Forca e Sigurisë së Kosovës, me lidershipin e Gjenerallejtënant Bashkim Jasharit, po rrugëton fuqishëm dhe sigurtë drejtë realizmit të vizionit shtetëror dhe qytetarëve të vendit për Ushtrinë tonë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore