Lajme

Mehaj: Alarm për BE-në homazhet e Vulin te “Kasapi i Ballkanit”


Ilustrim

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka reaguar pas homazheve që Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin i ka bërë ish presidentit serb, Sllobodan Millosheviç në përvjetorin e vdekjes së tij, duke thënë se kjo duhet të jetë alarm për Bashkimin Evropian (BE).

Mohimin e Masakrës së Reçakut dhe bërja e homazheve tek kapasapi i Ballkanit nga ana e Vulin-it dhe politikanëve të tjerë serb, janë vetëm provokime të radhës ka thënë Mehaj.

“Vulin, fyeu edhe gjithë ato viktima, civilë të pafajshëm, në Masakrën e Reçakut, që nënkupton se fyeu edhe gjithë viktimat e gjenocidit të urdhëruara nga “heroi” i tij, duke mohuar gjenocidin e forcave kriminale serbe mbi popullin shqiptar të Kosovë, për çka edhe u ndërhy nga aleanca e vendeve demokratike më 1999”.

Mehaj tutje ka thënë se kur një ministër i një qeverie të një shteti i cili aspiron në Bashkimin Evropian (BE), nderon dhe “glorifikon të bëmat e një krimineli, duhet të jetë alarm për qarqet politikëbërëse dhe vendimmarrëse të BE-së dhe gjithë botës perëndimore demokratike”.

“Ky është provokimi i tij i orkestruar i radhës, që nënkuptohet kërcënim ndaj Kosovës, Bosnjës e Kroacisë dhe popujve të tyre viktima të krimit të Serbisë së Millosheviqit, i cili përveç nga Vulin është lavdëruar edhe nga presidenti aktual i Serbisë, Vuçiq”, ka shkruar Mehaj në rrjetin social Facebook.

Paqja, siguria, stabiliteti dhe demokracia perëndimore sipas Mehaj, janë të zbehta me mendje e qasje të tilla antihumane.

“Kjo qasje djallëzore nuk shqetëson Republikën e Kosovës dhe popullin e saj i cili nuk harron kurrë sepse Liria dhe Pavarësia e saj, tanimë janë realitet i fuqishëm, dhe se shteti i Kosovës qëndron natyrshëm mbi bazamentin e vlerave euroatlantike”.

Mehaj ka thënë gjithashtu se në kohën kur e krejt bota demokratike po përjeton krimet e forcave ruse mbi popullin e Ukrainës, ministri serb Vulin po thurë elozhe duke bërë homazhe për “heroizmin” e “Kasapit të Ballkanit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore