Shqipëria

Megaoperacioni anti-kanabis: Sasi të mëdha droge asgjësohen në Velipojë, Lezhë, Krujë dhe Mat


Një aksion i madh për kapjen e lëndëve narkotike ka nisur në gjithë Shqipërinë, ku raportime të Policisë së Shtetit bëjnë me dije se sasi të mëdha droge janë kapur në Velipojë, Lezhë dhe Mat.

Fillimisht, janë zbuluar në zonën e Velipojës gjashtë minisera ku kultivoheshin bimë narkotike të llojit kanabis sativa, ku Policia e Shtetit ka asgjësuar më pas 270 rrënjë dhe ka kapur në flagrancë dy shtetas, duke i arrestuar ata.

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe të Stacionit të Policisë Velipojë, falë inteligjencës policore se dy shtetas nga fshati Baks, kishin ngritur 6 minisera brenda të cilave kishin kultivuar bimë narkotike, kanë referuar materialet në Prokurori, e cila ka regjistruar procedimin penal.

Pas disa javë hetimesh proaktive, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Baks 2”.

Në kuadër të operacionit shërbimet e Policisë duke përdorur dhe dronë për të monitoruar lëvizjet e autorëve, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit O. J., 33 vjeç dhe L. Sh., 28 vjeç, të dy banues në fshatin Baks, Velipojë.

Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë duke zbuluar nga plasmasi miniserat, të cilat gjatë natës i mbulonin me plastmas.

Grupi hetimor sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi të bimëve narkotike dhe prova të tjera që do ti shërbejnë hetimit, ndërsa pjesa tjetër e bimëve u asgjësua me anë të djegies.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Një sasi e madhe lënde narkotike kanabis është kapur edhe në Krujë ndërkaq, ku 494 fidanë janë asgjësuar.

Ndërsa, në tërësi, në 10 operacione që janë zhvilluar në Krujë, janë asgjësuar gjithsej 6 mijë e 868 bimë.

Në Lezhë, 600 bimë të tjera janë kapur në disa parcela dhe janë asgjësuar.

Forcat policore të pajisura me dronë për kontrolle nga ajri si dhe kontrolle në terren, në zbatim të planit operacional mbarëkombëtar, me fokus parandalimin, konstatimin dhe goditjen e kultivimit të bimë narkotike, kanë vijuar kontrollet intensive në të gjithë territorin, në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Imazhi”.

Gjatë fazës së dhjetë të tij, në territorin e fshatit Kaluer, Lezhë, u gjetën të kultivuara në tokë të ndara në parcela 300 bimë narkotike kanabis sativa si edhe në fshatin Gërnac, Kurbin, u gjetën të kultivuara në tokë në zonë të pyllëzuar, 300 bimë të tjera narkotike, të cilët u asgjësuan me anë të djegies.

Në Mat, një parcelë është zbuluar në një zonë të pyllëzuar, si edhe një 44-vjeçar është shpallur në kërkim.

Në tërësi në këtë operacion të koduar “Kreshta të pastra” janë asgjësuar 164 bimë kanabisi, të cilat u asgjësuan.

Ndërsa, gjatë nëntë fazave të mëparshme të këtij megaoperacioni, në fshatra të ndryshëm të qarkut Lezhë, u asgjësuan me anë të djegies në total 14 mijë e 779 bimë narkotikë dhe u vunë në pranga tre shtetas si dhe u shpall njç tjetër në kërkim, autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore