Shqipëria

Mediu: Gërdeci nuk është produkt i imi, por i Qeverisë Berisha


Kreu i Partisë Republikane në Shqipëri, Fatmir Mediu, gjatë intervistës në ‘Top Talk’ ka deklaruar se nuk ka pasur lidhje me lidhje me ngjarjen e Gërdecit dhe se në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes ai ka zbatuar vetëm vendimin e Këshillit të Ministrave aso kohe, nën qeverisjen e Sali Berishës.

“Gërdeci nuk është produkt i imi, por i qeverisë”, deklaroi ai, duke theksuar se ishte Qeveria ajo që vendosi për hapjen e fabrikës së demontimit.

Dosja Gërdeci është rihapur sërish nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Mediu po hetohet për rolin e tij.

Ai ka përsëritur se vendimi nga SPAK është i “jashtëligjshëm”.

Mediu, të hënën e 1 nëntorit kundërshtoi vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm për nisjen e hetimeve ndaj tij mbi dosjen ‘Gërdeci’.

Kjo, pasi të enjten e 28 tetorit, Gjykata e Lartë depozitoi në SPAK dosjen për Mediun.

Ai akuzohet nga SPAK-u për “Shpërdorim të detyrës në bashkëpunim me subjekt ushtarak” për ngjarjen e Gërdecit.

Do të ishte Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila do t’u hapte rrugën hetimeve, pasi më 12 tetor bëri me dije se, Mediu nuk është gjykuar më parë, për shkak të imunitetit të deputetit që zotëronte në atë kohë.

Më tej, bëhej me dije se afatet e parashkrimit janë respektuar, pasi Mediu është marrë i pandehur që në vitin 2009.

Nga ana tjetër, rënia e kushtit, tashmë të imunitetit, do t’i hapë dyert drejtësisë për të nisur gjykimin.

Të premten e 24 shtatorit u rihap dosja “Gërdeci”.

Më herët, SPAK ka kërkuar revokimin e vendimit të Gjykatës së Lartë dhe rinisjen e gjykimit ndaj Mediut.

Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, në lidhje me shpërthimin e depos së armëve në Gërdec, ku mbetën të vdekur 26 persona dhe qindra të tjerë të plagosur.

Si u rikthye pas tetë vitesh çështja “Gërdeci”?

Gjykimi ndaj Mediut u rikthye më 7 maj, kur familja e 7-vjeçarit, që humbi jetën, depozitoi në SPAK kërkesën për ndjekjen penale të Mediut.

SPAK, fill pas shqyrtimit të kërkesës, kërkoi hapjen e dosjes dhe revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut.

Shkaku, për të cilin Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në 2009-ën vendosi pushimin e çështjes penale ndaj Mediut, ishte imuniteti parlamentar.

Më 30 qershor, Gjykata e Lartë shpalli moskompetencë për gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes.

Në vijim të ndryshimeve ligjore të bëra me reformën në drejtësi, çështja “Gërdeci” i kaloi Gjykatës së Posaçme Anti-Korrupsion.

Ndërkohë GJKKO-ja, më 27 korrik, vendosi që Fatmir Mediu nuk do të gjykohet.

Kjo Gjykatë cilësoi në vendim se, që prej vitit 2012 e në vazhdim (më shumë se tetë vjet), organi i akuzës nuk ndërmori hapat e nevojshëm sipas ligjit për ushtrimin e ndjekjes penale.

“Prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë që ta rimerrte të pandehur shtetasin Fatmir Mediu pa kërkuar autorizim për ndjekje penale, apo të kërkonte rishikim të vendimit”, thuhej në vendimin e GJKKO-së.

Kësisoj, Gjykata ravijëzoi se hapja e dosjes “Gërdeci”, “nuk mund të ushtrohet më bazuar në nenin 66 germa ‘b’ të Kodit Penal dhe në nenin 328 pika 1 germa ‘d’ të K.Pr.Penale”.

Por SPAK ankimoi në Apel vendimin e GJKKO-së, duke e cilësuar si të pabazuar në ligj.

Mediu akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim.

Si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Shpërthimi i Gërdecit

Më 15 mars të vitit 2008, në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda.

Si rezultat i kësaj ngjarjeje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 personave, plagosja e lehtë e 109 personave dhe dëmtime të parëndësishme për 67 persona.

Si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave që janë trajtuar në spitale e qendra shëndetësore

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore