Lajme

Mediat serbe thonë se e kanë zbuluar kush është autorja e non-paper’it


Angelina Eichhorst

Non-paper’in që u publikua në media ditëve të fundit dhe i cili jepte opsione për zgjidhjen finale në mes Kosovës e Serbisë, ku, pos tjerash, thuhej se Kosova dhe Serbia do ia njohin integritetin territorial dhe sovranitetin njëra – tjetrës e ka shkruar një grua, thonë mediat serbe të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ajo grua, sipas tyre, është diplomatja holandeze, Angelina Eichhorst.

Eichhorst aktualisht është Drejtore Menaxhuese për Europë dhe Azi Qendrore brenda shërbimit diplomatik dhe ministrisë së kombinuar të jashtme dhe të mbrojtjes në Bashkimin Evropian – institucion që njihet edhe si Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm.

Gazeta serbe e afërt me Vuçiç, Kurir, shkruan se tashmë e kanë konfirmuar nga disa burime të ndryshme diplomatike që “non-paper” është shkruar nga ajo.

Por, ishte edhe vetë Vuçiç, që kur u deklaruar për dokumentin thoshte, me këmbëngulje, se atë e ka shkruar një grua – “shumë e zgjuar, dinake, dhe e me shumë njohuri për çështjet e Ballkanit”.

“Vetëm dikush që ka marr pjesë në takimet për Kosovën që nga fillimi dhe i cili kishte njohur fantastike për dialogun, mund ta shkruante atë me dinakëri”.

Siç dihet, Angelina Eichhorst, është përfshirë në dialogun e Brukselit për shtatë vjet, veçanërisht gjatë mandatit të shefes së diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.

Përshkrimi i saj punës përfshinte gjithashtu intensifikimin dhe shpejtimin e bisedimeve midis përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë.

Prandaj, shkruan Kurir duke e cituar një burim anonim, “është plotësisht logjike që ajo të qëndrojë pas letrës”.

Vetë Eichhorst nuk është shprehur ende për aludimet e serbëve, derisa zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një prononcim për Albanian Post pati deklaruar se “non paper i publikuar të hënën nuk shpreh pozicionin e Bashkimit Evropian”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore